Lajme Shqip Wednesday, 02 April 2014 09:58

Industria bankare në Kosovë vazhdon të jetë e qëndrueshme dhe me afarizëm profitabil. Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës mbi statistikat e sektorit financiar, kapitali i bankave komerciale në muajin shkurt arriti në 283.4 milionë euro, apo 0.8 për qind më shumë krahasuar me shkurtin e vitit 2013, kurse neto fitimi i tyre në dy muajt e parë të 2014-tës shënoi vlerën 5.4 milionë euro. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija thotë për Radio Kosovën se kjo është pozitive edhe për ekonominë vendore.
 
“Edhe këtë vit fitimi i bankave është i mirë, që kontribuon për industrinë bankare të jetë stabile dhe të vazhdojë me një afarizëm profitabil, gjë që është mirë edhe për ekonominë e Kosovës”, thotë Balija. 
 
Bruto kreditë e bankave komerciale në shkurt shënuan vlerën 1.8 miliard euro, përderisa depozitat e klientëve në këto banka shënuan vlerën 2.4 miliardë euro. Normat e interesit në depozita kanë shënuar rënie në shkurt për 0.6 për qind krahasuar me muajin paraprak. Në mesatare, norma e interesit në depozita për muajin shkurt ka qenë 2 për qind dhe paraqet nivelin më të ulët që nga viti 2004. Kjo sipas Balisë ka ndodhur për disa arsye.
 
“Kryesisht si rezultat i lëvizjeve të normave të interesit në Eurozonë por nëse shikojmë likuiditetin aktual të bankave shihet se nuk është në favor të stimulimit të depozitave. Prandaj kjo është një masë ndoshta dekurajuese për depozitat në raport me likuiditetin që kanë bankat”, thekson ai.
 
Hulumtuesi i Institutit RIINVEST, Alban Hashani, thotë se rënia e kamatave të depozitave ndodh për shkak se bankat kanë mjete të mjaftueshme dhe nuk kanë nevojë për mjete shtesë.
 
“Në momentin kur banka ka mjete që nuk mundet me i plasuar në aktivitetin e vet kreditor, atëherë ajo është e interesuar ta ulë çmimin e tyre dhe të mos i paguajë aq shtrenjtë për shkak se nuk ka nevojë për depozita shtesë të cilat do të mund t’i konvertonte më tutje në kredi”, shprehet Hashani.
 
Ndërkohë, normat e interesit në kredi që ofrojnë bankat komerciale kanë mbetur përafërsisht në nivel të njëjtë me periudhën paraprake. Në mesatare, norma e interesit për muajin shkurt ka qenë 11.8 për qind nga 11.7 për qind sa ishte në janar. Kurse normat e interesit në kredi nga institucionet mikrofinanciare për muajin shkurt kanë qenë 23.3 për qind, duke shënuar rënie për 1.4 për qind nga periudha paraprake. Rënia e mesatares së përgjithshme erdhi si rezultat i rënies së normave të interesit për ekonomitë familjare./RTK/