Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 14:43

Tiranë – Një emision i respektuar, i një shtëpie të respektuar mediale jo veç në botën shqiptare, siç është “Fiks Fare” (i Doktorit dhe Sajmirit), në Top Channel, nuk duket të jetë edhe fiks-korrekt me profesionin e gazetarit. Ata që me llupë shikojnë të metat, defektet, shkeljet dhe vjedhjet e të tjerëve, kësaj radhe bënë plagjiat të pafalshëm ndaj medias sonë, Portalit Lajmeshqip.com. E përvetësuan një raportim tonin, të cilit profesionalisht iu referuan krejt mediat shqipe, pos emisionit “Fiks Fare”.

Bëhet fjalë për raportimin (produktin) e portalit tonë, me titullin “Skandal: Takimi BE-Shqipëri, nën flamurin komunist”.

Portali i informacionit Lajmeshqip.com publikoi të mërkurën, më 15 qershor 2011, në orën 06:52, një video ekskluzive, ku flitej për shkeljen e protokollit në takimin ndërmjet Parlamentit Europian dhe delgacionit të Shqipërisë, në vazhdën e negociatave për Stabilizim-Asociimin, e ku Flamuri Shqiptar, i përdorur gjatë takimit, përmbante simbole komuniste.

Që pas publikimit në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, mijëra klikime vërshuan mbi LajmeShqip.com, për të mësuar çfarë kishte ndodhur.

Pas publikimit, menjëherë informacioni në mënyrë profesionale dhe më të drejtën e autorit (në këtë rast LajmeShqip.com) u transmetua edhe nga televizioni informativ NEWS 24, i pasuar me publikimin e informacionit në faqen e saj të internetit BalkanWeb.com. Por, jo vetëm një sërë transmetuesish të tjerë shqip, e transmetuan lajmin, duke e cituar gjithmonë LajmeShqip.com si burim informacioni dhe me të drejtë.
Prej të gjithë kësaj, ishte një media që nuk i shpëtoi tundimit për të marrë një copë merite, duke e shitur informacionin si të “zbuluar prej tyre” dhe ky ishte Top Channel, më konkretisht emisioni “Fiks Fare”.

Top Channel e publikoi lajmin në faqen e vet të internetit në orën 23:15 (siç mund të shihet edhe nga imazhi i bashkëngjitur), ndërsa Emisioni “Fiks Fare”, në terminin e tij të transmetimit, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së 15 qershorit 2011.

Ky emision, që përgatitet diku nga mesdita, mori autorësinë e zbulimit, duke shkelur edhe të drejtën më themelore të autorit, duke mos e cituar burimin real të informacionit LajmeShqip.com.

Gjithashtu, duhet theksuar se lajmi për përdorimin e flamurit komunist gjatë takimit mes PE-së dhe Shqipërisë u identifikua nga LajmeShqip.com, dhe pranohet edhe nga simotra e “Fiks Fare” brenda kompanisë Top Media, dhe më konkretisht Gazeta SHQIP. Kjo e fundit, në mënyrë korrekte dhe profesionalisht, në ditën e sotme, 16 qershor 2011, e ka publikuar këtë shkrim, ku citohet edhe Portali LajmeShqip.com.

Ne, nuk kemi bërë asgjë, pos një raportimi korrekt dhe profesional. Ndërsa, “Fiks Fare”, vodhi. Nuk iu referua burimit në publikimin e tyre, i cili pikë për pikë është produkt i portalit tonë, LajmeShqip.com.