Lajme Shqip Saturday, 25 July 2015 08:08

Partitë opozitare kanë kundërshtuar idenë që bashkë me amendamentet për Gjykatën Speciale të votohen edhe ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura, shkruan sot Koha Ditore

Megjithëse ky opsion zyrtarisht thuhet të mos jetë në tavolinën e Qeverisë, përfaqësues të opozitës kanë ngritur shqetësime se Qeveria mund ta fusë në pazar edhe ushtrinë. Ata janë kategorikë kundër që Specialja dhe Ushtria të lidhen me një votim. Mungesa e një marrëveshje me Listën Serbe bëri që Kuvendi i Kosovës ta heqë nga rendi i ditës votimin e amendamenteve kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK).

Komisioni për Legjislacion i ka shqyrtuar dhe proceduar amendamentet për Forcat e Armatosura qysh më 10 korrik. Kryetarja e këtij Komisionit, Albulena Haxhiu, ka thënë për “Kohën Ditore” se shumica PDK-LDK janë përgjegjësit kryesorë për mosthemelimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Për faktin se përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve politike kanë kundërshtuar që amendamentet për FAK-un të procedohen në seancën e së enjtes”, ka thënë ajo. Duke komentuar mundësinë që Qeveria t’i procedojë amendamentet për gjykatë, bashkë me amendamentet për FAK-un, Haxhiu ka përmendur të paktën dy arsye pse PDK-ja dhe LDK-ja nuk po pajtohen që këto amendamente të futen në rend dite.