Lajme Shqip Friday, 03 June 2011 18:49

Kumanovë – Banorët e Llojanit të Komunës së Likovës që gjenden vetëm 2 kilometra larg kufirit me fshatin Miratoc të Luginës së Preshevës, kanë protestuar gjatë së premtes, duke kërkuar hapjen e pikës kufitare. Në të njëjtën kohë kanë protestuar nga ana e Preshevës edhe banorët e asaj ane të cilët po ashtu si qëllim kanë që të hapet pika kufitare mes këtyre vendbanimeve. Ky vendkalim kufitar për gati 20 vite vazhdon të jetë i mbyllur në mënyrë hermetike, duke mos mundësuar që të hapet pika kufitare, ndërkohë që largësia mes fshatrave këndej nga Maqedonia dhe andej nga Lugina e Preshevës është ca kilometra.

Banorët e Llojanit thonë se kanë dalë në mënyrë spontane pa ndonjë organizim, kurse ata nga Presheva janë më të organizuar dhe me një numër më të madh të njerëzve në protesta.

“Protesta e qetë as që ka qenë e paralajmëruar”, thonë banorët e Llojanit, por as policia nuk ka bërë ndonjë reagim e kundërshtim, por përkundrazi i ka lejuar dhe i ka përcjellë deri në pikën kufitare.

“Ka gati 20 vjet që kjo rrugë është mbyllë e cila në të kaluarën kurrë s’ka qenë e mbyllur. Jemi bër si në robëri. Ne kemi fare e fis andej e këndej dhe nuk po mund të shkojmë as në rast vdekjeje apo duhet të bëjmë 70 kilometra për të shkuar deri në Preshevë”, ka thënë Fejzulla Zimeri nga Llojani. Ai më tej shton se këndej edhe gjendja ekonomike është rënduar mjaft në pamundësi për të lëvizur lirshëm dhe se askush deri më sot nuk po shpreh gatishmëri t’i ndihmojë banorëve të asaj ane pos bisedave. Ndërkohë, Agim Destani banor i fshatit Llojan ka thënë se kjo protestë ka ardhur në mënyrë spontane dhe nuk ka ndonjë organizator.

“Ne kemi dalë spontanisht në këtë protestë pas paralajmërimeve të banorëve nga ana e Preshevës që edhe ata do të protestonin andej kufirit. Duhet ta përkrahim këtë protestë dhe kemi dalë si vëllezër pa ndonjë qëllim tjetër pos që të bëhet hapja e kufirit dhe të hapet një herë e përgjithmonë ky kufi se mjaft jemi gënjyer me llafe dhe asnjëherë nuk po shohim punë apo vepra”, ka thënë Agim Destani, banor nga Llojani.