Lajme Shqip Sunday, 12 June 2011 17:30

Kumanovë – Ajo që nuk mund të arrihet në pushtetin qendror arrihet në pushtetin lokal. Kjo është një e arritur madhe. Festa e flamurit kombëtar shqiptar “28 Nëntori”, nga ky vit do të shënohet në mënyrë zyrtare nga pushteti lokal i Kumanovës. I gjithë kjo ka ardhur falë Komisionit për Marrëdhënie mes Bashkësive (KMMB), i cili komision është trup konsultativ i Këshillit Komunal të Kumanovës ku bashkësitë e ndryshme etnike mund të shprehin mendimet e tyre për çështje të rëndësishme për bashkësitë e tyre. Siç njofton Ismail Xheladini, anëtar i këtij komisioni ky program vjetor është hartuar para vitit të ri dhe është miratuar nga Këshilli komunal në bazë të mandatit të vetëqeverisjes lokale, i cili vepron për zgjidhjen e çështjeve politike dhe nevojave që preokupojnë etnitë e ndryshme të një vendi dhe ku kanë marrë pjesë edhe organizatat e huaja joqeveritare dhe të vendit.

“Festa e flamurit kombëtar 28 nëntori edhe në mënyrë zyrtare do të shënohet në pushtetin lokal të Kumanovës, e cila pas shumë përpjekjeve është arritur që të futet në kuadër të festave nacionale dhe e cila festë do të shënohet me një manifestim që do të sponsorohet edhe nga këshilli komunal i Kumanovës”, ka thënë Ismail Xheladini, anëtar i KMMB. Ai më tej shton se krahas festës së flamurit në pushtetin lokal të Kumanovës zyrtare do të jetë edhe Festa e Fitër Bajramit.

“Si anëtar i këtij komisioni kemi arritur që edhe Dita e Fitër Bajramit të jetë e mbështetur dhe e zyrtarizuar nga pushteti lokal të cilat edhe do të financohen edhe me mjete materiale”, shton I. Xheladini, anëtar i këtij komisioni. Në kuadër të këtij komisioni janë realizuar gati të gjitha festat në kuadër të kalendarit vjetor të të gjitha etnive që jetojnë në Kumanovë dhe se kanë mbetur vetëm ato shqiptare. Xheladini thotë që tani kanë filluar të punojnë për shënimin e festës së flamurit kombëtar.

“Si përgjegjës i këtij manifestimi kemi zgjedhur këshillin për organizimin e kremtimit të “28 Nëntorit”, i cili në vete do të përmbajë ekspozitë të punimeve përmes përdorimit të flamurit që nga kohët e hershme e deri më sot. Pjesa e parë e manifestimit do të përfshijë një ekspozitë ku do të përmbajë rreth 150 fotografi, kurse në pjesën e dytë do të mbahet një akademi solemne ku do të marrin pjesë figura eminente nga Maqedonia, Kosova e Shqipëria dhe pjesa e tretë do të jetë kremtimi tradicional nëpër kohë (por jo të zyrtarizuar) me një manifestim të ditës së flamurit si e ka zakon Kumanova”, ka thënë Ismail Xheladini.

Për shënimin e festës së flamurit kombëtar shqiptar nga Këshilli Komunal i Kumanovës janë ndarë 60 mijë denarë. Angazhimi i KMMB është edhe në vazhdën e zgjidhjes hapësinore në shkollën e gjimnazit, ”Sami Frashëri” teknikës “Nace Bugjoni” (në gjuhën shqipe) të cilat nuk i plotësojnë standardet për shkollim normal.