Lajme Shqip Monday, 13 June 2011 10:43

Kukës – Në 7 urat e autostradës Kukës- Morinë, 18 kilometra e gjatë, ka rinisur puna për t’i kthyer ato me katër korsi, nga dy korsi që janë aktualisht.

“Punimet kanë nisur në urën e Morinit, të Gjegjanit dhe të Breglumës. Ura e Breglumës është ura më e gjatë në këtë segment, ose 350 metra e gjatë dhe 80 metra lartësi. Ndërsa pritet që së shpejti punimet të fillojnë edhe te urat e tjera”, tha drejtori i Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve, Arben Basha.

Punimet për zgjerimin e urave të këtij segmenti kanë nisur më 30 korrik të vitit 2009 dhe afati i përfundimit ka qenë më 13 dhjetor të vitit të kaluar. Për zgjerimin e këtyre urave është angazhuar firma sllovene “sct Ljubljana”.

Ndërkohë, deri tani është punuar me ritme mjaft të ngadalta, gjë që e tregon edhe shtyrja e afateve të përfundimit të punimeve. Punimet u ndërprenë plotësisht në muajin tetor të vitit të kaluar, për të rinisur këto ditë të muajit qershor.

Parashikohet që të gjitha punimet në urat e këtij segmenti të autostradës, të përfundojnë deri në fund të vitit 2012.

Rinisja e punimeve ka sjellë punësimet e dhjetra punëtorëve nga fshatrat Përbreg, Bardhoc e Morin duke mundësuar përmirësimin e gjendjes ekonomike të banorëve të kësaj zone.