Lajme Shqip Monday, 06 June 2011 10:21

Kukës – Fillimi i sezonit veror ka shënuar një fluks në rritje të lëvizjes nga Kosova në drejtim të plazheve shqiptare.

“Gjatë muajit maj, përmes doganës së Morinit, që është dogana kryesore që lidh Shqipërinë me Kosovën, kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova 69 mijë shtetas, me 36 mijë automjete të llojeve të ndryshme”, thanë burime zyrtare të drejtorisë së policisë kufitare të qarkut të Kukësit.

Për të përballuar fluksin në rritje të lëvizjes në të dy anët e kufirit dhe për të minimizuar radhët e gjata në mjediset e doganës, që nga data 15 qershor nis kontrolli i përbashkët mes doganës së Morinit e Vërmicës, gjë që mundëson eliminimin e radhëve të gjata në doganat e të dy vendeve.

Në këtë drejtim ndikim pozitiv po jep edhe përvoja e vitit të kaluar, kur pas një marrëveshjeje mes dy Ministrive të Brendshme u arrit kontrolli i njëkohshëm i udhëtarëve që hynin në Shqipëri, duke iu drejtuar plazheve shqiptare. Kjo marrëveshje që do të nisë të zbatohet sërish më 15 qershor dhe do të shtrihet deri më 15 shtator, kur mbaron sezoni i plazhit.

Për të lehtësuar lëvizjen normale të udhëtarëve drejt plazheve shqiptare, nga strukturat e policisë lokale janë shtuar masat e kontrollit të segmentit të autostradës Morin- Kukës-Tunel për të eliminuar aksidentet.

Në kushtet e rritjes së fluksit të lëvizjes së udhëtarëve, është parë e domosdoshme shtimi i sporteleve të kontrollit doganor e policor.

Dogana kryesore në kufirin Shqipëri – Kosovë, ajo e Morinit, ndodhet 20 kilometra larg qytetit të Kukësit.