Lajme Shqip e Diel, 17 Qershor 2012 00:10

Prishtinë (PLOTESUAR 10:00) – Ushtarët e KFOR-it kanë hequr një barrikadë të re të serbëve, në rrugën që çon në fshatin Rudarë të Zveçanit.

Disa orë pasi banorët lokalë kanë vendosur drunj, anëtarët gjermanë të KFOR-it kanë bllokuar urën në Zveçan dhe kanë larguar të gjitha pengesat nga rruga. Qytetarët nuk kanë shfaqur rezistencë dhe operacioni ka kaluar në mënyrë të qetë, raportojnë mediat serbe. Ai pason aksionin e së shtunës, kur misioni paqeruajtës ka mbyllur fizikisht një vendkalim ilegal kufitar në afërsi të Bërnjakut.

Ky operacion ka nxitur reagimin e serbëve lokalë, por edhe të Qeverisë në Beograd, e cila ka fajësuar KFOR-in për rritje të tensioneve në veri. Që nga korriku i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për futjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, banorët serbë të veriut kanë penguar vazhdimisht lëvizjen e lirë, duke vendosur barrikada në rrugë. (LajmeShqip.com)

*****************************************

Mitrovicë- Barrikadat e reja u vendosën në shenjë proteste për shkak të mbylljes së drejtimeve rrugore alternative nga ana e KFOR-it. Barrikadat janë vendosur sipas sistemit zik- zak, ndërsa ato përbëhen nga drunj, tulla të mëdha betoni dhe materiale të tjera. 

Serbët theksuan se qëllimi i bllokimit të ri është që gjithashtu të pamundësohet lëvizja e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht policisë, doganierëve dhe autoriteteve ndërkombëtare. 

Burime të KFOR kanë raportuar se në Rudarë janë vërejtur turma të serbëve që kanë qëndruar pranë barrikadave dhe kanë vëzhguar lëvizjen e makinave.  Barrikadat e reja janë vendosur në lokacionet ku ishin barrikadat e tërhequra 15 ditë më parë nga ana e trupave të KFOR-it, ku pati përleshje midis serbëve dhe trupave ndërkombëtare. 

Trupat ndërkombëtare të KFOR-it të shtunën në mëngjes bllokuan rrugët alternative në zonën e veriut të Kosovës që shfrytëzoheshin nga serbët për kalime midis Kosovës dhe Serbisë. (LajmeShqip.com)