Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 17:07

Prishtinë – Motoja e protestës së Lëvizjes Vetëvendosje “Kundër hajnisë” e cila është paralajmëruar të mbahet të mërkurën, më 22 qershor, ka nxitur edhe reagimet e drejtuesve të Qeverisë së Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka ftuar opozitën, në këtë rast Vetëvendosjen, që mos të merret me ofendime politike, por të ofrojë alternativa.

Numri dy i qeverisë ka thënë se sikurse në vendet perëndimore, edhe Kosova është një vend demokratik, ku mund të shprehen pakënaqësitë, por ato duhet të jenë sipas normave ligjore.

Mirëpo, motoja e protestës së Lëvizjes Vetëvendosje “Kundër hajnisë” e ka shtyrë të reagojë zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, i cili këtë titullim e ka cilësuar si ofendim politik. Ai e ka ftuar opozitën, në këtë rast Vetëvendosjen, që në vend të ofendimeve të ofrojë alternativë për zgjidhjen e çështjeve të caktuara.

Megjithatë, sa i përket lejes për protestë, Kuçi shtoi se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe duhet të respektojmë rregulloret e ligjet në fuqi.

Vetëvendosje qysh javën e kaluar ka paralajmëruar se të mërkurën, më 22 qershor, do të organizojë një protestë paqësore me moton “Kundër hajnisë”. Lideri i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti, e pati akuzuar Qeverinë dhe kryeministrin Thaçi, siç tha për vjedhje të buxhetit me tenderë, shitjen e aseteve shtetërore, por edhe për negociatat që po zhvillohen në mes Prishtinës dhe Beogradit.