Lajme Shqip Thursday, 02 June 2011 08:23

Prishtinë – Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Beogradi po vazhdon t’i mbajë serbët e veriut me iluzione dhe sa më shpejtë që ata njerëz do të hiqen nga këto iluzione, aq më shpejt do të integrohen dhe do të zhvillohet ajo pjesë e Kosovës.

Kuçi e ka cilësuar këtë si një thirrje shumë të qartë për Beogradin, pasi që iluzioni nuk u ndihmon serbëve të veriut që të integrohen.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka theksuar se askush, në këtë rast as shteti i Kosovës ndaj shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të vendit, nuk duhet të krijojë iluzione të cilat nuk mund t’i realizojë.

Ai beson se sapo të ndërpritet ndikimi i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, shumica e popullatës në këtë pjesë do të jenë të gatshëm për t’u integruar në tërësinë territoriale të Kosovës.

Kuçi thotë se Prishtina zyrtare nuk është e interesuar për temat e ndarjes, ngaqë, sipas tij, më shumë do t’i kushtojnë Serbisë, si në kuptimin politik, ashtu edhe në kuptimin moral.