Lajme Shqip e Premte, 03 Gusht 2012 16:41

Prishtinë – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi,  dhe Robert Wilton, kryesues për çështje të politikave në ICO, kanë diskutuar sot rreth menaxhimit të çështjes së përfundimit të pavarësisë së Kosovës.

Me këtë rast janë theksuar një sërë veprimesh që duhet ndërmarrë përpara muajit shtator, ku edhe duhet shënuar përfundimi  i mbikëqyrjes së pavarësisë.

Duhet të koordinohen të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me miratimin e ligjeve që lidhen  me   mbikëqyrjen e pavarësisë, amendamenteve kushtetuese dhe shkëmbimit të letrave në mes të Kosovës dhe BE-së për mandatin e EULEX-it, theksohet në komunikatën për medie, nga takimi i tyre.

Po ashtu theksohet nevoja për një koordinim të plotë në mes të të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe u pajtuan  që me rastin e takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar të Kosovës më 10 shtator të shënohet edhe përfundimi formal i mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Ministri Kuçi nënvizoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për të koordinuar të gjitha veprimet për shënimin e përfundimit të pavarësisë. “Është një proces që vjen si rezultat i maturisë dhe vendosmërisë së institucioneve për zbatimin e veprimeve që dalin nga pakoja e Ahtisarit dhe bashkëpunimit që ka pasur Kosova me institucionet ndërkombëtare”, citon komunikata ministrin Kuçi. (LajmeShqip.com)