Lajme Shqip Tuesday, 09 April 2013 14:04

Koshare – “Beteja e Koshares” është një ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në luftën e saj për lirinë e vendit, e cila ishte simbol unifikimi i sferës politike dhe ushtarake të vendit. Kjo betejë u bë për ta thyer kufirin shqiptaro-shqiptar dhe për ta vendosur një kufi tjetër, atë me Serbinë. Kështu u tha ndër të tjera në shënimin e 14-vjetorin e “Betejës së Koshares”.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi, me këtë rast ka thënë se “Beteja e Koshares” është një prej betejave më të lavdishme, e cila shënon kulmin e unifikimit të sferës politike dhe ushtarake, e cila sipas tij, u bë për thyerjen simbolike të kufirit shqiptaro-shqiptar dhe vendosjen e një kufiri tjetër – atij me Serbinë. Ai ka kërkuar që këtë unitet ta ruajnë qytetarët e Kosovës dhe ta kultivojnë sa herë që është nevoja. Kuçi po ashtu e ka falënderuar jo vetëm shtetit shqiptar, por edhe te gjitha familjet për kontributin e tyre dhënë gjatë luftës në Kosovë.
Me një fjalë rasti, në këtë ditë, u është drejtuar të pranishmëve edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, i cili ka shfaqur interesimin e partisë së tij për ta ndërtuar një shtet ashtu siç e kanë menduar dhe kërkuar ata që luftuan dhe u flijuan për këtë vend.
Po ashtu, edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se lufta ka qenë në një periudhë të ndjeshme dhe të vështirë. Me këtë betejë Haradinaj ka thënë se të gjithë mburremi me të, duke i nderuar të rënët dhe duke u zotuar se do te punojmë për një shtet ashtu siç e kërkuan dëshmorët.
Gjatë këtij manifestimi, një fjalë rasti e mori edhe Komandant i Brigadës 138 Agim Ramadani, Rrustem Berisha, i cili hodhi kritika edhe ndaj qeverive të deritashme në Prishtinë, por edhe ndaj qeverisjeve lokale të Deçanit, për të cilat ai ka thënë se nuk kanë bërë asgjë deri më tash për ta ndërtuar rrugën që çon deri te këto varreza dëshmorësh, e për të cilat po thuhet se janë shumë të rëndësishme për lirinë dhe historinë e vendit.(K.P/LajmeShqip.com))