Lajme Shqip Wednesday, 06 February 2013 14:47

Tirane – Gjatë meshës së fundit të mbajtur në Katedralen “Ringjallja” në Tiranë, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas iu përgjigj sulmeve që sipas tij po kryhen mbi Kishën Ortodokse. Sipas kryepeshkopit, është një listë e gjatë e emrave të atyre që sulmojnë Kishën, me mënyra nga më të ndryshmet.

Ai vërejti se metodat e sulmeve që i bëheshin Kishës Ortodokse në kohën e persekucionit të madh, nuk janë harruar, edhe pse në vend ka demokraci. 

Kryepeshkopi Anastas përmendi trajtimin që i është bërë Kishës dhe klerikëve të saj nga arti, si edhe përpjekjet për të paraqitur si klerik ortodoks shqiptar, një njeri që sipas tij nuk është klerik dhe nuk njihet nga asnjë kishë. 

“Kohët e fundit sulmuan Kishën Ortodokse nën maskën e artit; u përpoqën të bëjnë qesharakë jo vetëm klerikë priftërinj, por edhe shenjtorë. Më parë një regjisor bëri një film me gënjeshtra dhe e transmetoi edhe jashtë vendit, gjoja për të nderuar vendin tonë dhe pa që kishte reagim të qartë të ortodoksëve, edhe nga Korça edhe nga Berati. A thua se Shqipëria nuk ka probleme si droga, korrupsioni, vjedhjet e trafiku, që arti i tyre të merret me Kishën Ortodokse…”, u shpreh ai. 

“Eshtë edhe një plan tjetër, të cilin duan ta çojnë përpara”, vijoi kryepeshkopi, “të nxjerrin si shembull të klerikut ortodoks shqiptar, një person që nuk është as klerik dhe as me dinjitet. Asnjë Kishë në botë nuk e pranon atë si klerik”. Ai theksoi se fakti që njerëz që nuk kanë idenë nga Kisha ortodokse bëjnë leksione të së drejtës kanonike, nuk fyen Kishën, por fyen aftësinë e të kuptuarit të popullit shqiptar.

Anastas tërhoqi vëmendjen se po shkatërrohet harmonia fetare në Shqipëri. “Dhuratën më të madhe në Shqipëri duan ta shkatërrojnë, dhe këtu e kam fjalën për harmoninë ndërfetare. S’mund të ketë harmoni fetare, kur persona të feve të tjera sulmojnë Kishën Ortodokse”, tha Janullatos.

Në përfundim të fjalës së tij Janullatos u shpreh se Kisha nuk trembet nga sulmet. “Le ta mësojnë të gjithë; nuk kemi frikë. Nuk do lemë që shenjtorët t’i shkelin me këmbë, se kështu shkelin të ardhmen e vetë Shqipërisë. Ne që besojmë, e dimë se me Perëndinë nuk tallet njeri dhe nuk e vë askush në lojë”, tha kryepeshkopi.

“Vëllezër, me qetësi dhe gjakftohtësi vazhdojmë të themi të vërtetën. E gjithë shoqëria e di se Kisha është punishte e ndershmërisë, e së vërtetës dhe e dashurisë. Sado që të duan të mbulojnë të vërtetën, ajo ka mënyrat e saj që të shfaqet dhe të shkëlqejë. Duhet të jemi të gjithë pohues dhe rrëfyes të së vërtetës. Nuk është thjesht detyrim, por është nderi ynë ta mbrojmë këtë të vërtetë”, përfundoi ai.

Fjala e plotë e Kryepeshkopit Anastas

“Në vitet e persekucionit të madh ishte një metodë konkrete, që donte ta bënte fenë qesharake dhe që t’i drejtonte njerëzit të jetonin jashtë kishës. Ishte përpjekja për të paraqitur priftërinjtë si njerëz jomoralë, apo që nuk janë patriotë, siç ishin ata, që në të vërtetë shkatërruan Shqipërinë dhe e çuan në fund të Evropës në shumë drejtime. Kishim shpresë se me ardhjen e demokracisë metodat e vjetra do të harroheshin. Por të gjithë e dimë se s’u bë revolucion që në këtë vend të vinte demokracia dhe shumë nga protagonistët e dikurshëm, kanë edhe sot fuqi, para, mjete televizione, që ata shprehen. 

Pamë kohët e fundit se këta ranë dakord të sulmojnë Kishën Ortodokse nën maskën e artit; u përpoqën të bëjnë qesharakë, jo vetëm klerikë priftërinj, por edhe shenjtorë. Edhe Hoxha kishte respekt për Shën Kozmain, por gjoja-patriotët e ditëve të sotme duan të bëjnë qesharakë edhe shenjtorët. Njerëz të komuniteteve të tjera fetare, duke pasur traditë familjare të tillë, gjoja përpiqen të mbrojnë Kishën Ortodokse. Meqë këtë e bëjnë në mënyra të shumëllojshme, ne nuk besojmë se ata bëjnë pjesë në ndonjë komunitet fetar, por ngelen ateistë. Kanë bërë një gabim; nuk jemi në kohën e persekucionit kur ne ortodoksët kishim frikë se na çonin në burg apo internime. Jemi të lirë në demokraci, kemi forcën e votës sonë dhe kemi miliona miq në botë që kanë influencë. 

Ajo që është dhuratë e madhe në Shqipëri duan ta shkatërrojnë, dhe këtu e kam fjalën për harmoninë ndërfetare. Çfarë harmonie mund të kemi, kur persona të feve të tjera sulmojnë Kishën Ortodokse? Unë nuk njoh ndonjë ortodoks që shkroi apo sulmoi komunitetet e tjera fetare. Është bërë një listë e gjatë dhe nuk mund të përmendim as emrat e atyre që sulmojnë Kishën Ortodokse. Më parë një regjisor bëri një film me gënjeshtra dhe e transmetoi edhe jashtë vendit, gjoja për të nderuar vendin tonë dhe pa që kishte një reagim të qartë të ortodoksëve, edhe nga Korça, edhe nga Berati. A thua se Shqipëria nuk ka probleme si droga, korrupsioni, vjedhja, trafiku, mashtrimi që arti i tyre të merret me Kishën Ortodokse.

Është edhe një plan tjetër, që duan ta çojnë përpara; të nxjerrin si shembull të klerikut ortodoks shqiptar një person që nuk është as klerik, por as me dinjitet. Asnjë kishë në botë nuk e pranon atë si klerik, por ata që janë të feve të tjera përpiqen ta paraqesin si përfaqësues të Kishës Ortodokse. Njerëz që nuk kanë idenë nga Kisha Ortodokse na bëjnë leksione të së drejtës kanonike. Kjo nuk na fyen ne. Ata duan të fyejnë aftësinë e të kuptuarit të popullit shqiptar dhe vetveten, sepse duken se sa mendjevegjël janë ata vetë. Janë 42 persona, peshkopë, priftërinj, dhjakë, murgjër, që iu thonë këtyre personave që duan të na japin leksione, se nuk janë më pak inteligjentë dhe patriotë, se ata që na sulmojnë. 

Ne nuk kemi mjetet, gazetat, TV që të përgjigjemi. Shkruajnë ata diçka, ne përgjigjemi, ata nuk i botojnë reagimet tona. Ata iu bëjnë censurë shkrimeve tona, sepse janë të rinisë komuniste të viteve të kaluara. 

Ne disponojmë vetëm të vërtetën. Le ta mësojnë të gjithë: nuk kemi frikë fare. Të mos përpiqen të krijojnë fobira dhe as nuk do lëmë t’i shkelin me këmbë shenjtorët, se kështu ata shkelin të ardhmen e vetë Shqipërisë. Në fund, themi se këta persona nuk besojnë te perëndia. Ne që besojmë, e dimë se me Perëndinë nuk tallet njeri dhe nuk e vë askush në lojë. Ju lutem të gjithëve; të jemi të gjithë trima, të jemi pohues të së vërtetës. Të mos lejojmë njerëz të ndryshëm të vijnë në shtëpinë tonë e të na japin leksione. Vëllezër, me qetësi dhe gjakftohtësi vazhdojmë të themi të vërtetën. E gjithë shoqëria e di se kisha është punishte e ndershmërisë, e së vërtetës dhe e dashurisë. Sado që të duan të mbulojnë të vërtetën, ajo ka mënyrat e saj që të shfaqet dhe të shkëlqejë. Duhet të jemi të gjithë pohues dhe rrëfyes të së vërtetës. Nuk është thjesht detyrimi, por është nderi ynë ta mbrojmë këtë të vërtetë”.(LajmeShqip.com)