Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 23:15

Tiranë-Në një mesazh urimi Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos tha se, kremtimi i Pashkës i fton të gjithë në një lëvizje vetjake për të dalë nga korrupsioni, gënjeshtra, mashtrimi, fenomene që ndotin në forma të ndryshme çdo shtresë shoqërore.
“Çdo vit kremtojmë solemnisht dhe me entuziazëm të shenjtë, të kremten e të kremteve. Kjo e kremte ka si pikënisje eksodin historik të izraelitëve nga skllavërimi i gjatë në Egjipt drejt lirisë. Ky eksod u dha frymëzim, durim dhe shpresë edhe popujve të tjerë në kohë të vështira robërie, për të hedhur tej zgjedhën e huaj dhe për të shkuar drejt një realiteti të ri shoqëror e politik”.

Kryepeshkopi Anastas tha se, ne të krishterët, në vazhdën e 20 shekujve që kaluan, kremtojmë në çdo Pashkë kalimin vendimtar të gjinisë njerëzore “nga vdekja në jetë”, çlirimin nga mëkati.
“Në të kremten e Pashkës, Kisha jonë nuk na fton thjesht në një mallëngjim sipërfaqësor, që përkëdhel ndjenjën fetare, por në një dalje jetike: nga plogështia shpirtërore në vigjilencën e frymës. Duke kremtuar Pashkën, ftohemi në një lëvizje vetjake për të dalë nga mëkati shumëformësh dhe shpesh i vështirë për t’u dalluar”, u shpreh Kryepeshkopi Anastas.
“Sipas terminologjisë së sotme kjo do të thotë dalje nga korrupsioni, gënjeshtra, mashtrimi, të cilat ndotin në forma të ndryshme çdo shtresë shoqërore duke minuar kohezionin e popullit. Do të thotë zgjedhje e vendosur e së vërtetës dhe e ndershmërisë. Dalje nga indiferenca për hir të drejtësisë. Mobilizim që të mbizotërojë e drejta në ambientin tonë dhe më gjerë në shoqërinë tonë”, tha Kryepeskopi Anastas.
Pashka, vijoi ai, na fton gjithashtu të kalojmë nga egocentrizmi ynë në vëllazërim me të tjerët. Lodhja, mosbesimi, shija e hidhur e jetës sonë të përditshme na shtyjnë shpesh në egocentrizëm. Është detyrë urgjente dalja nga kulla “e unit”, që të takojmë të tjerët me mirëkuptim dhe respekt. “Pashka, le të përqafojmë me gëzim njëri – tjetrin”. T’u japim të tjerëve falje, dhembshuri dhe dashuri jo të shtirur. “Le t’i falim të gjitha në dritën e Ngjalljes”.
Në përshëndetjen “Gëzuar Pashkët”, që mbizotëron mes nesh gjatë këtyre ditëve, përmblidhet ftesa për një dalje shpëtimtare: Nga hipokrizia në të vërtetë dhe drejtësi. Nga izolimi i egocentrizmit tonë, në solidaritetin aktiv. Nga shkurajimi dhe frika, në shpresë dhe gëzim paqësor. Nga besimi i pakët, në besim të ndërgjegjshëm.
Pashka shkëlqimprurëse na fton për një dalje vendimtare nga ajo çka jemi në atë që Zoti i ngjallur dëshiron të bëhemi: njerëz që do të shijojmë dashurinë e Tij dhe do ta rrezatojmë atë. Gëzuar Pashkët, vëllezërit e mi! Krishti u Ngjall! (LajmeShqip.com)