Lajme Shqip Friday, 30 September 2011 17:39

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, priti të premten ambasadorin amerikan, Christopher Hill, me të cilin ka zhvilluar një bashkëbisedim miqësor për progresin e Kosovës dhe vizionin e saj për të qenë pjesë e integrimeve veriatlantike.

Sipas zyrës së shtypit të qeverisë kosovare, kryeministri Thaçi ka vlerësuar rolin e madh, që ambasadori amerikan Christopher Hill luajti në prag dhe gjatë luftës në Kosovë, për ndërkombëtarizimin e luftës dhe zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Kryeministri ka shprehur falënderimin ndaj ambasadorit Hill edhe për kontributin e tij për paqen në rajon, si dhe për mbështetjen që po vazhdon t’i japë Kosovës.

“Populli i Kosovës ndihet krenar për miqtë që i kishte në situata të vështira, dhe të njëjtit i ka vlerësuar dhe do t’i vlerësojë në vazhdimësi. Për këtë angazhim, mirënjohja e Kosovës për të gjithë miqtë e saj do të jetë e përhershme”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Ambasadori Hill ka shprehur mbështetjen për zhvillimet në Kosovë dhe progresin e shënuar në ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe të zhvilluar për qytetarët e vet si dhe ka përgëzuar kryeministrin Thaçi për arritjet në angazhimet e tij në krijimin e klimës së mirë politike në vend dhe për bashkëpunimin me partitë opozitare.