Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 13:00

Tiranë – Në kuadër të punimeve të Samitit të Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u takua të enjten në Budvë (Mal i Zi) me Presidentin e Kroacisë, Ivo Josipoviç.

Presidenti Topi i shprehu Presidentit Josipoviç urimet më të mira për anëtarësimin e afërt të Kroacisë në BE, si dhe vlerësimet dhe konsideratat për sukseset dhe përparimin e vendit të tij në rrugëtimin integrues evropian.

Në vijim të takimit, Kreu i Shtetit theksoi se bashkëpunimi dhe niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kroacisë, përbën një model të shkëlqyer të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Presidenti Topi shprehu interesimin për të mundësuar krijimin e hapësirave më të gjera për bashkëpunimin e zhvillimin e shpejtë të dy vendeve tona në interesin e përbashkët të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit evropian, duke e vënë theksin sidomos në bashkëpunimin ekonomik.

Nga ana e tij, Presidenti Josipoviç shprehu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin Topi, duke vënë në dukje se ato shërbejnë në forcimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona, duke theksuar gatishmërinë e Kroacisë për të ofruar gjithë përvojën dhe ekspertizën përsa i përket përmbushjes së standardeve dhe realizimit të aspiratës integruese të popullit shqiptar.