Lajme Shqip Monday, 15 April 2013 16:30

Prishtinë – (E plotësuar) Fjala hyrëse e prokurores është përkrahur nga pala e dëmtuar.

“Si palë e dëmtuar i bashkangjitemi ndjekjes penale. Ne do të parashtrojmë kërkesë pasurore juridike të cilën do ta precizojmë gjatë gjykimit”, tha avokati i Jeta Xharrës, Kolë Ramaj.

Ndërsa, avokati i Lushtakut, Arianit Koci në fjalën e tij tha se boshti i këtij gjykimi penal akuzon klientin e tij për një fjali në intervistë.

Duke e quajtur klientin e tij Gjenerali Lushtaku, ai tha se Gjenerali kurrë nuk ka bërë presion ndaj Jeta Xharrës.

“Nuk ia lejon nderi dhe burrëria”, tha Koci.

“Për fjalinë e thënë ka kërkuar falje publike”, theksoi ai.

Aktakuza, sipas Kocit, është skajshmërisht e pasaktë.

“Përmendja e zgjedhjeve nga ana e prokurores po i jep konotacion politik këtij gjykimi. Nuk ka elemente për asnjë vepër penale për çka akuzohet Gjenerali pasi kërkoi falje publike dhe dëshmoi se është njeri paqësor dhe që e respekton ligjin”, tha Koci.

Në aktakuzë prokurorja ka thënë se UÇK’ja ka bërë krime gjatë luftës.

Koci dhe i pandehuri Rexhep Hoti e kanë dënuar këtë duke kërkuar që prokurorja e këtij rasti të jep sqarime për fjalët që ajo ka përdor për UÇK’në.

Hoti ka bërë thirrje që prokurorja të dalë në gjyq për këtë punë.

“Lufta e UÇK’së ka qenë e shenjt”, tha Hoti, i cili ka vendosur që për dallim prej tjerëve fjalën hyrëse ta merr vet.

“Aktakuza fillon me fjali të përrallave të Andersonit. Nuk kam besuar që gjykata do të bjen në këtë nivel. Do të isha shumë i kënaqur nëse do të dënohesha për liri të mendimit dhe medias. E lus prokuroren të mos luajë me konceptin e lirisë”, tha Hoti.

“A është kërcënim?”, e pyeti prokurorja.

“Jo, është shprehje e lirisë së mendimit”, tha Hoti.

“Me njohjet tuaja në EULEX mund të më dërgoni në burg. Do të isha i turpëruar sikur të isha prokurore e të përmendja vrasje qe po hetohen nga EULEX. Në vend se prokurorja të merret me ndriçimin e vrasjeve, ajo po merret me lirinë në media”, shtoi ai.

Hoti kërkoi që Arizona Dibra, e cila sipas tij kurrë nuk ka pasur gisht në politikat redaktoriale, të mos përzihet në rastin e BIRN,

“Jam në gjendje të paguaj komision për ta vërtetuar atë çfarë thash. Mos i merrni në qafe njerëzit që s’kanë pas gisht në ketë punë”, theksoi Hoti.

Fjala hyrëse e Hotit ka nervozuar prokuroren, por trupi gjykues nuk e lejoi atë për replikë.

Prokurorja fjalët e Hotit i quajti kërcënime dhe ofendime.

“Nuk e di pse jam këtu me orë të tëra. Nuk jam marr kurrë me politikën redaktuese. Nuk pranoj asgjë. Të gjitha që janë thënë për mua janë të pavërteta”, tha Arizona Dibra.

Edhe të akuzuarit e tjerë po kundërshtojnë aktakuzën, Ata vlerësojnë se nuk ka fakte për dyshimet e bazuara që janë paraqitur në aktakuzë.

“Në këtë gjykim Jeta Xharra paraqitet si viktimë e gazetarisë. Kurse, raportet bankare se ajo është gazetare e privilegjuar. Unë kam pasur program në RTK e jam paguar 50 herë më pak se Jeta. Prandaj e vlerësoj se kjo aktakuzë është tipike politike. Aktakuza është aferë politike për me ‘mjelë’ fonde”, tha i pandehuri tjetër, Qani Mehmedi.

Përplasen për fjalën hyrëse

Pas deklarimit të të pandehurve ka nisur leximi i fjalëve hyrëse nga ana e prokurores. Kjo ndodhi pavarësisht insistimeve të avokatit mbrojtës të Sami Lushtakut, i cili kërkoi paraqitjen e menjëhershme të dëshmitareve të rastit.

Arianit Koci kërkoi qe fjala hyrëse të lexohet në seancën e radhës, por diçka e tillë nuk u pranua nga trupi gjykues.

Madje, derisa Koci ka propozuar që fjalët hyrëse të lexohen një ditë tjetër, prokurorja Maria Bamie ka thënë se insistimi i Kocit është tendencë për ta shtyrë procesin gjyqësor, sepse po ofrohen zgjedhjet.

Mirëpo, kjo është mohuar nga Koci, pasi sipas tij, ai as që ka diskutuar me klientin për këtë punë.

Ndërkohë, siç kemi raportuar, Sami Lushtaku i ka kërkuar falje Jeta Xharres.

Ndërkaq, Arianit Koci, ka thënë se klienti i tij nuk e ka kërcënuar zonjën Xharra.

“Nuk behet fjale për kurrfarë kërcënimi”, ka thënë Koci.

Deklarohen të pafajshëm

Të gjithë të pandehurit u deklaruan të pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Pritet deklarimi i të pandehurve

Pasi prokurorja përfundoi leximin e aktakuzës, tashmë pritet deklarimi i të pandehurve lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tyre.

Lushtaku i kërkon falje publike Jeta Xharrës

Në fillim të seancës Sami Lushtaku nëpërmjet avokatit të tij Arianit Koci ka vendosur t’i kërkojë falje publike Jeta Xharrës për fjalët që i ka thënë për të.

Sipas Kocit, ato fjalë kanë qenë një keqkuptim prandaj edhe Lushtaku kërkon falje.

Kurse, më pas prokurorja ka filluar leximin e pikave të aktakuzës.

Prokuroria Speciale e Kosovës, pati ngritur aktakuzë me të cilën i akuzonte Sami Lushtakun, Rexhep Hotin, Arizona Dibrën, Avni Azemin, Rizah Hajdarin dhe Qani Mehmedin, se në periudhën maj-qershor 2009 kishin nisur një fushatë mediale kundër Jeta Xharrës duke kryer veprat penale shkelje e statusit të barabartë të banorëve të Kosovës dhe kanosje, të dënueshme në bazë të kodit penal.

Sipas aktakuzës, veprat penale ishin kryer pasi që Xharra kishte udhëhequr një nga edicionet e emisionit “Jeta në Kosovë”, në RTK, ku kishte paraqitur keqmenaxhimin dhe kushtet e pafavorshme në Skenderaj, komunë e drejtuar nga Sami Lushtaku.

Fushata ndaj saj ishte zbatuar përmes botimit të artikujve për 12 ditë me radhë në gazetën Infopress, ku sipas aktakuzës, ishin përhapur gënjeshtra politike ndaj Jeta Xharrës me shprehjet si “Spiune e Serbisë, bombë profesionale, jetëshkurtër etj”.

Fillon seanca

Është zëvendësuar gjyqtarja vendore Valbona Musliu me gjyqtaren Lindita Jakupi.

Seanca ka filluar.

Gjykimi ndaj Lushtakut shtyhet për 40 minuta

Gjykimi ndaj Sami Lushtakut dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e “BIRN”-it është shtyrë për 40 minuta, pasi njëra nga gjyqtaret është e sëmurë.

Sot gjykimi ndaj Sami Lushtakut për rastin e ‘BIRN’-it

Për pak çaste pritet të nisë gjykimi ndaj kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e “BIRN”-it.

Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, Qani Mehmedi, Avni Azemi, Rexhep Hoti, Riza Hajdari dhe Arizona Dibra akuzohen nga prokuroria për veprat penale të kanosjes dhe shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.(G.E/LajmeShqip.com)