Lajme Shqip Wednesday, 28 March 2012 12:00

Prishtinë- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Romë, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, Giulio Terzi.

Përveç takimit me ministrin e Jashtëm italian, Terzi, gjatë qëndrimit në Romë, ministri Hoxhaj, sipas zyrës s tij, do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të tjerë të lartë të institucioneve italiane në të cilat do të diskutojë për perspektivën integruese të Kosovës si dhe për proceset e tjera në drejtim të forcimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Ministri Hoxhaj po ashtu do të zhvillojë takime me diplomatë të shteteve të tjera të akredituar në Romë.

Ministri i Jashtëm i Kosovës do të paraqitet edhe në aktivitete të tjera të nivelit të lartë, si dhe do të mbajë një ligjëratë në Shoqatën Italiane për Organizmat Ndërkombëtare (SIOI) , ku përveç personaliteteve të shumta italiane dhe nga trupi diplomatik, do të marrë pjesë edhe presidenti i kësaj shoqate, ish-ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini. (LajmeShqip.com)