|
|
e Hënë, 03 Shtator 2012 13:07 Prishtinë-Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka thënë sot se për tejkalimin e situatës pas largimit të LDK-së nga reforma zgjedhore dhe ajo kushtetuese, zgjidhja duhet të kërkohet nga nënshkruesit e marrëveshjes për presidenten. Sipas tij kjo marrëveshje nuk ka qenë e gabuar, por duhet të respektohet.
“Një marrëveshje që pastaj ka rezultuar me një rezolutë të Kuvendit të Kosovës, unë nuk do ta quaj të gabueshme, por politika kosovare duhet të mësohet ta respektojë marrëveshjen dhe vendimet e Kuvendit”-ka thënë Krasniqi.
Ndërsa Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se rezoluta e miratuar në Kuvend pas marrëveshjes për presidentën ende ekziston, por ajo nuk po zbatohet, prandaj nuk ka arsye që të vazhdohet puna në komisione. Beqiri ka hedhur poshtë edhe deklaratat se kinse LDK-ja ka kërkuar nga Gjykata kushtetuese interpretimin e amandamenteve që kanë të bëjnë me presidentën”-u shpreh Beqiri.
Ardian Gjini nga AAK-ja e sheh nevojën ndryshimeve në kodin zgjedhor, pa kushtëzime me zbatim të marrëveshjeve. Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kryeparalamentari Krasniqi, tha se këtë javë do të mbahen dy seanca, me 6 shtator seancë e rregullt kurse me 7 shtator pritet të votohen ndryshimet kushtetuese për përmbyllin mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës. (LajmeShqip.com)