Lajme Shqip Tuesday, 03 November 2015 21:50

Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka treguar disa arsye, për të cilat sipas tij deputetët opozitarë të cilët kanë thirrje për paraqitje në prokurori, duket t’i përgjigjen kësaj thirrje. Krasniqi vlerëson se veprimi i hedhjes në Kuvend të gazit lotësjellës është patriotik dhe për këtë, ata duhet t’i tregojnë Prokurorisë se si mbrohet shteti.

Shkrimi i plotë i Jakup Krasniqit:

PSE DEPUTETET E OPOZITËS DUHET TË SHKOJNË NË PROKURORI

Nuk ka asnjë fije dyshimi se deputetët e opozitës së bashkuar që në Kuvendin e Kosovës kanë gjuajtur gazinlotsjellës, kanë bërë veprim patriotik, se më atë veprim kanë protestuar për t’i treguar çdo qytetari, se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë antikushtetuese nga do që t’i merresh. Bile dhe ai që e ka nënshkruar MSA-në – Kosovo me fusnotë, ka bërë shkelje të Kushtetutës, për faktin se Republika e Kosovës është shtet pa fusnotë.

Ata duhet të shkojnë në prokurori që t’ju tregojnë se, sikur ata të ishin në krye të përgjegjësisë se tyre, si prokuror të shtetit, duhet të viheshin në mbrojtje të tij, pasi më marrëveshjet e Brukselit e sidomos me “Zajednicen”, është shkelur rend Kushtetuta e Republikës së Kosovës, akti më i lartë shtetit.

Duhet t’ju thuhet prokurorëve të shtetit se Republika e Kosovës më 17 shkurt 2008 është shpallë shtet i pavarur, sovran dhe demokratik pa fusnotë dhe ata që ia vunë fusnotën e mohun sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit dhe po ashtu edhe ai që e nënshkroi marrëveshjen e 25 gushtit 2015 i vuri themelet e një Republika Serbska në Kosovë. Kështu kishte filluar edhe Republika Serbska, me Bashkësinë e Komunave serbe në Bosnje e Hercegovinë.

Përveç qeveritarëve që e kanë mohuar Republikën edhe e para e shtetit i ka mbështetur qeveritarët që e shkelen Kushtetutën, duke u bërë kështu edhe ajo shkelëse e aktit më të lartë të shtetit.

Gjithashtu, këta mbrojtës te Republikës duhet t’i thonë Prokurorisë se shtetit, se nuk jemi ne që po e rrezikojmë Republikën, por janë zyrtarët serb që në mes të Republikës po deklarojnë se “Kosova është Serbi”. Madje e pari i kishës serbe po kërkon ripushtimin e Kosovës me forcën e armeve. Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, ka deklaruar të martën në Nish se të gjithë janë të detyruar të ngrenë zërin në mbrojtje të Kosovës e Metohisë dhe “duhet bëjmë çdo gjë që me hatër a me forcë ta kthejmë atë”.

Pra, rreziku i Kosovës nuk vjen nga opozita e bashkuar, por nga shkelësit e Kushtetutës dhe kërcënuesit nga Serbia. Prandaj detyrë mbi detyrë për ta është mbrojtja e Atdheut nga shkelësit e kushtetutës dhe ish agresorët shovinistë nga kisha e shteti.

Nuk do të hezitoja të shkoja në polici a prokurori për t’ju treguar sesi duhet te kryhet detyra e Prokurorisë së Shtetit në mbrojtje të Republikës! Përndryshe, nëse ata (prokuroret) vihen në shërbim te politikës e jo të atdheut, ata duhet të përgjigjen para ligjit.