Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 15:12

Prishtinë – Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ka kërkuar ndërprerjen e privatizimit të PTK-së, me anë të një letre dërguar personaliteteve ndërkombëtare në Kosovë dhe në botë. Me anë të kësaj letre Krasniqi ka shfaqur mospajtimin e tij për mënyrën se si është bërë privatizimi i PTK-së.

“Privatizimi në Kosovë ka filluar në kohën e Administrimit Ndërkombëtar, pra në kohën kur Kosova kishte status të padefinuar dhe kjo ka bërë që ky proces të fillojë dhe të përfundojë me shkelje të mëdha ligjore e kushte shumë të pafavorshme për Kosovën. Asnjëhërë deri më sot këtij procesi nuk i është bërë një analizë e detajuar, nuk dihet cili ka qenë suksesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, sa ka ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit ky proces, sa vende të reja pune janë krijuar etj. 

Edhe pas pavarësisë së shpallur më 17 shkurt 2008, është vazhduar me të vjetrën pa i bërë asnjë analizë këtij procesi tejet të rëndësishëm për vendin tonë, më të pa zhvilluarin e Evropës. Por kësaj radhe ne do të flasim vetëm për parregullsitë e shumta të shfaqura me rastin e privatizimit të PTK-së, sektorit më profitabil të saj, Telefonisë mobile VALA dhe Telekomit”, thuhet në letrën e plotë që e transmeton Koha bashkë me adresat në të cilat është dërguar kjo letër. 

1. Duke ju referuar Ligjit të Ndërrmarjeve Publike (LNP), nenit 9, të LNP, vërehet qartë se nuk ka asnjë vendim të saktë apo të qartë për shitjen e aksioneve të PTK-së në vitin 2012 dhe 2013. Çdo vit Parlamenti aprovon ligje te reja për buxhet, pra Ligji për buxhet ripërtërihet çdo vit nga Kuvendi i Kosovës, që do të thotë se ligji i vitit paraprak nuk vlen për vitet tjera vijuese, sepse me aprovimin e ligjit të ri i vjetri nuk mund të ketë validitet e as veprim të barazvlerëshëm me ligjin e ri. Që do të thotë se shitja e aksioneve të PTK-së, me ligjin për buxhet të viti 2011, është shitje kundërligjore dhe me pasoja të paparapara.

Sipas Ligjit të Ndërmarrjeve Publike (LNP) të aprovuar në Kuvendin e Kosovës, Neni 9, pika 9.1 lidhur me shitjen e aksioneve, thuhet, citoj:

Neni 9, Shitja e Aksioneve

“9.1 Aksionet në një NP Qendrore mund të shiten lirisht nëse Qeveria miraton një vendim me shkrim me të cilin autorizohet një Komision Qeveritar për Privatizim për të vazhduar me tenderimin dhe shitjen e aksioneve, me kusht që ky vendim të miratohet me shumicë të thjeshtë votash nga Kuvendi i Kosovës. Pas miratimit të këtij vendimi nga Qeveria dhe Kuvendi. Komisioni Qeveritar për Privatizim është i autorizuar të kryejë një tender dhe t’i shesë aksionet në fjalë.”

2. Janë zhvilluar dy tentativa apo procese të ndara për shitjen e PTK-së. Pra PTK-ja është vënë në shitje dy herë nga qeveria e Kosovës. Herën e parë në vitin 2011, kur është miratuar Ligji për Menaxhimin e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës, neni i katërt i tij ka paraparë privatizimin e PTK-së. Vetë mënyra se si ky nen (i katërti), për shitjen e Ndërmarrjes Publike (Postës) është gjetur në Ligjin në fjalë është e dyshimtë dhe në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Ndërmarrjeve Publike. Siç dihet shitja sipas kësaj forme ishte e parregullt dhe, por edhe kjo formë dështoi në vitin 2011, pasi ligji në fjalë ishte valid vetëm brenda vitit kalendarik 2011. 

Kurse herën e dytë, i tërë procesi i shitjes së PTK-së ka filluar në vitin 2012, kur i tërë validiteti i Ligjit të Financave Publike të vitit 2011 kishte përfunduar në orën 24 të 31 dhjetorit të po atij viti, ndaj për shitjen e Valës dhe Telekomit nuk kishte asnjë vendim të Kuvendit të Kosovës. Pra shitja e PTK-së ishte krejtësisht kundërligjore, sepse nuk ka asnjë vendim nga Kuvendi i Kosovës ashtu siç parashihet me Ligjin e Ndërmarrjeve Publike. Edhe kushtet e shitjes janë tërësisht të paligjshme pasi edhe këshilltari kryesor i transakcionit është ndërruar.

3. Nga Qeveria, si pronare e Ndërmarrjes Publike, nuk është dhënë asnjëherë arsyeja e shitjes së 75% të aksioneve të “Valës”, pse pikërisht 75% e pse jo 25%, pse jo 30% apo 49%, por pikërisht shiten 75% ku aksionarit të ri (privat) me 75% ka të drejtën dhe fuqinë vendimarrëse lidhurme kompaninë. Kjo tregon një joprofesionalizëm dhe krijon hapësirë dyshimi se kjo shitje e këtyre 75% të aksioneve është caktuar paraprakisht nga blerësit potencialë, ndërsa Qeveriae Kosovës më shumë i ka kushtuar kujdes interesit privat të blerësit sesa interesit shtetëror të vendit tonë për shitjen e një aseti kaq të veçantë.Vetëm ky fakt lë hapësirë për dyshime se përfaqësuesit qeveritarë kanë mbrojtur interesin e blerësit, ndaj, cili është interesi i tyre në këtë rast?!

4. PTK-ja qëllimisht është ngulfatur nga Qeveria që nga viti 2010/12 duke STOPUAR projektet vitale që do të rrisnin vlerën e PTK-së në një masë të jashtëzakonshme. Prej fillimit të vitit 2010 deri në fund të viti 2011 janë ndalur projektet kyçe me qëllim që të ulet vlera e PTK-së, në vend që të vepronin krejt ndryshe, përshembull, është ndaluar projekti i FATURIMIT, që do të ishte zemra fitimprurëse e kompanisë, e cila do ta rriste vlerën e shitjes së PTK-së.

Është ndaluar projekti i shtrirjes së fijeve optike, ku në mbi 1.100 shkolla dhe institucione shtetërore do të instaloheshin fijet me kapacitet të gjerë, që do të rriste vlerën e PTK-së jashtëzakonisht shumë. Me një fjalë, ndalimi i investimeve të këtyre projekteve dhe të shumë projekteve tjera ka ndikuar që kompania të zhvlerësohet në kontinuitet e jashtë çdo mase. Edhe kjo është një dëshmi tjetër se Qeveria ka punuar për t’ia zvogëluar vlerën e shitjes së Postës. 

Veprimet e Qeverisë për ndalimin e investimeve janë bërë me qëllim qëtë zvogëloheshin të hyrat e kompanisë dhe të justifikohet vlera qesharake siç është kjo ofertë prej 242 milionësh. Pra qëllimisht dhe në dëm të buxhetit të Kosovës iu është krijuar fitim investitorit/ëve privat/ë.

5. Gjithashtu ndalimi i themelimit të POSTËBANKËS ishte një veprim tjetër që ka dëmtuar qëllimshëm PTK-në dhe interesin kombëtar të vendit. Pra, qëllimisht dhe në dëm të buxhetit të Kosovës është ndaluar themelimi i POSTËBANKËS dhe kjo është bërë në interes të Bankave komerciale (private) të cilat në Kosovë operojnë me kamata tepër të larta. Sigurisht që këto kamata të larta janë në dëm të bizneseve dhe zhvillimeve të tyre në Kosovë.

6. Shitja e PTK-së në përpjekjen e dytë(me dy afate shtesë) është bërë nga një Bord jolegjitim i zgjedhur në vitin 2008. Bordi i PTK-së është zgjedhur për tre vjet sipas ligjit për Ndërmarrje Publike. Në vend se të zgjedhet Bordi i ri në fund të vitit 2011, të njëjtit i është vazhduar kontrata. Pra, pothuajse 5 vjet PTK-ja ka të njëjtin bord, krejtësisht joprofesional dhe me paaftësi politikëbërjeje, gjë që është një veprim tjetër i kundërligjshëm i imponuar nga Qeveria.

7. Për çudi, kohëve të fundit kur është kuptuar se PTK-ja po shitet për herë të dytë, atëherë Qeveria ka lejuar investimet, me qëllim qëtë bëheshin investime, tani jo për rritjen e vlerës së PTK-së por për të investuar dhe mundësuar investitorëve privatë (AXOS) të përfintojë nga buxheti i qytetarëve të Kosovës/PTK-së. Ky është veprim tjetër më shumë se i dyshimtë i Qeverisë së Kosovës.Është krejt e mundshme që kjo të jetë bërë në shërbim e interes të blerësit. Për çudi, ditëve të fundit, të muajit prill dhe fillimit të majit 2013, ka nisur shtrirja e fijeve Optike me paratë e PTK-së. Pra, stopimi i investimeve dhe lejimi i tyre është i dyshimtë dhe kërkon investigim profesional e të paanshëm. Pse investohet tani? Cila është arsyeja?!

8. Procesi i shitjes është shtyrë disa herë pa asnjë shpjegim dhe arsyetim ndaj ky veprim është përplot dyshime të mëdha. Gjatë kësaj kohe është lejuar disa herë të ndërrohen aksionarët e konsorciumeve që kanë aplikuar, gjë që është e pazakontë dhe krijon dyshime të shumta. Pra, shtyrja e procesit të ofertimit është bërë dy herë, veprim ky që krijon dyshime se bëhet fjalë për aranzhime dhe bashkërendime të tjera të dyshimta. Edhe po të ishte vetëm ky veprim i paligjshëm në këtë tenderim të madh, të një interesi të veçantë kombëtar, do të duhej një hetim (investigim) i pavarur e profesional

9. Qeveria e Kosovës, 2007-2010, çmimin minimal të shitjes së 75% të aksioneve e kishte caktuar 300 milionë €, andaj shitja e 75% të aksioneve në vlerë 277 milionë € minus 35 milionë, që në realitet rezulton në çmimin e ofruar prej 242 milionë € nga Komisioni qeveritar i udhëhequr nga ministri Beqaj, nuk është arritur minimumi i caktuar paraprakisht.Përkundrazi është për mbi 50 milionë më pak. Kjo në asnjë mënyrë nuk është në shërbim të investimeve të huaja në Kosovë.

10. Ofertuesi i përzgjedhur AXOS nuk është kompani profesionale e telekomit, andaj nuk duhet pranuar si ofertues që do të zhvillojë telekomin (Valën dhe Telekomin) e Kosovës, sepse AXOS-i nuk është kompani që ka infrastrukturë të telekomit, dhe veç kësaj nuk ka as kapital të gjeneruar nga shërbimet e ofruara të telekomit.

11. Ndarja e POSTËS nga VALA dhe TELEKOMI dyshoj se është bërë qëllimisht që t’i mundësohet një fitim marramendës investitorit të ri privat me një çmim shumë të vogël të blerjes. PTK nuk është përgatitur për shitje të ndershme në interes të publikut, nuk është shitur me çmimin e tregut dhe në shërbim të interesit kombetar. Ndarja e POSTËS (telefonisë kabllore) nga Vala dhe Telekomi u mundëson këtyre të fundit që t’i zvogëlojnë shpenzimet operative deri edhe mbi 35%. Pra, pjesa e shitur e PTK-së më nuk do të ketë në vete një njësi joprofitabile që ka mbi 1.200 punëtorë dhe shpenzime të tjerPra çmimi i ofruar është çmim ofertues kur PTK kishte në vete tri njësi biznesore, POSTËN, Telekomin, VALËN, ku të hyrat dhe vlera ishte shumë më e vogël sepse POSTA (telefonia kabllore) ëshë njësi e cila nuk është profitabile dhe si e tillë ka ndikuar në uljen e të hyrave (figurave financiare që përcaktojnë vlerën e VALËS dhe Telekomit), por kjo është përdorur qëllimisht në mënyrë që tëmos merren figurat financiare reale (pa shpenzimet e POSTËS) të VALËS dhe Telekomit. Pra, qëllimisht POSTA është ndarë nga VALA dhe Telekomi në një kohë të dyshimtë, sepse VALA dhe Telekomi janë gjeneratorët kryesorë të të hyrave të PTK-së, kurse Posta ka punuar me humbje.Pra, njësia e POSTËS është hequr në kohën e dyshimt, me strategji shumë dyshuese dhe qëllimkeqe dhe që dëmton shtetin e Kosovës, sepse Posta është njësi biznesore joprofitabile dhe pothuajse nuk mund të qëndrojë më vete pa subvencione nga shteti. Shikoni çfarë absurdi: nuk shitet ajo që do të jetë barrë e tatimpaguesve të Kosovës, ndërsa shitet ajo që është profitabile dhe me potencial të jashtëzakonshëm fitimi, kurse mbahet ajo njësi që do të bëhet barrë për shtetin dhe qytetarët e Kosovës!

12. Askund në kushte të tenderimit nuk janë caktuar në detaje kushtet e blerësit, nuk dihet as ku qëndron interesi KOMBËTAR i kësaj shitjeje dhe çka duhet investitori i ri të investojë, madje sa mjete do të investojë AXOS-i dhe çfarë teknologjie pritet të ofrojë dhe brenda çfarë afati kohorë do të ofrohet kjo teknologji. Pra, dyshimet janë serioze se AXOS-i do të investojë vetëm mjetet e gjeneruara nga vetë VALA dhe Telekomi dhe se kurrfarë mjetesh nuk do të investojë nga kapitali i tyre.

Dyshim tjetër serioz është se PTK-ja ka filluar të investojë për teknologjinë 3G, fije optike, produkte dhe projekte tjera me para të vetë PTK-së dhe se po investon në një kompani të huaj (të AXOS-it). Kjo bëhet qëllimisht që t’i krijojnë fitime AXOS-it me para të buxhetit të Kosovës, të gjeneruar nga PTK-ja. E tëra në dëm të buxhetit të vendit dhe në shërbim të investitorëve privatë.

13. .PTK-ja nuk ka guxuar të shitet pa e siguruar kodin shtetëror të Posttelekomit dhe kjo për shume arsye. Arsyeja e parë është sepse numeracioni i tanishëm nuk është pronë e shtetit të Kosovës, kodi 00377 dhe numeracioni 044 dhe 045 janë numeracione të Monaco Telekom International si dhe kodi 00381 (është kod i Serbisë) dhe 00386 (kod i Sllovenisë) dhe këtu siguria shtetërore cenohet seriozisht. Arsye tjetër janë humbjet financiare të shtetit të Kosovës që janë shumë milionëshe: i afrohen shumës 50-60 milionëshe në vit, si rezultat që Kosova nuk e ka kodin e vet shtetëror. 

Pra, PTK-ja (VALA dhe Telekomi) do të duhet të shitej (nëse është e domosdoshme shitja) vetëm pasi të sigurohet kodi shtetëror (kod i përkohshëm apo i ngjashëm por vetëm një kod uniform do të shiste më mirë sesa disa kode që janë tani në përdorim) sepse vlera e PTK-së do të ishte së paku edhe deri në 5-fish më e madhe sesa kjo vlerë prej 242milionë €, qëështë ofruar në rastin tonë. Gjithashtu, nëse Kosova nuk e ka kodin e vet shtetëror dhe kompanitë e telekomit përdorin kodet e shteteve të ndryshme, atëherë këto kompani kanë mundësi t’u ikin obligimeve tatimore/taksave të Shtetit të Kosovës, sepse nuk bëjnë deklarimin total të trafikut në ardhje dhe çmimittë tij e që hynë direkt në shtetin e tyre (të kodit të përdorur).

Investitori privat do të fitojë shuma të mëdha menjëherë posa të marrë në pronësi PTK-në, kur do të bëhej arranzhimi dhe bashkërendimi i kodit shtetror për përfitime të tyre. Prandaj, PTK-ja do të duhej shitur VETËM pasi të sigurohet kodi shtetëror dhe të mos ketë më kode të huaja siç janë: 377 (i Monaco Telecom Internationale), 381 (i Serbisë) dhe 386(i Sllovenisë), përndryshe dëmet financiare edhe të sigurisë kombëtare janë të paimagjinueshme.
14.Qëllimi i shijtes së aksioneve të PTK-së është që të sjellë investitorë me eksperiencë, përvojë dhe kapital nga lëmi i telekomit që do të zhvillojë dhe avancojë infrastrukturën e telekomit në një nivel të lartë dhe do të ofrojë shërbime të telekomit 3G apo LTE/4G në tërë Republikën e Kosovës. Në fakt, AXOS-i nuk posedon asnjë nga këto kritere të cekura më lart. Andaj ky ofertues nuk plotëson asnjë kusht për blerjen e PTK-së, dhe as nuk do të duhej të parakualifikohej. Kushtet dhe parakualifikimi janë tejet të dyshimta!
15. Fakti se kompania AXOS nuk bën publike listën e aksionarëve është tepër e dyshimtë. Me ligje të prokurimit të Republikës së Kosovës, çdo ofertues apo aplikues për një tender është i obliguar (me ligj) të jetë transaparent, padyshime dhe të bëjë transparente listën e aksionarëve dhe nuk guxon në asnjë mënyrë që të ketë aksionarë të fshehtë dhe të dyshimtë dhe aksionarë që u ikin tatimeve nga shtetet apo ishujt që vijnë.
AXOS-i publikisht ka deklaruar se ka grumbulluar fonde nga investitorë të regjistruar në ishuj të vendeve të caktuara qëu kanë ikur taksave/tatimeve e që lë hapësirë se kemi të bëjmë me një kompani që në fillim ka krijuar fonde të dyshimta dhe jotransparente dhe blen kompaninë (PTK-në) më profitabile të vendit me një proces tejet të dyshimtë.
16. .Blerësi i përzgjedhur i PTK-së, AXOS-i, është duke tentuar që të blejë PTK-në (VALËN dhe Telekomin) me para të gjeneruara nga vetë PTK-ja. Kjo nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë. AXOS-inuk ka dhënë asnjë garancion se sa mjete (nga xhepi i tyre, jo PTK-së) planifikon të investojë në mënyrë që të avancojë PTK-në dhe shërbimet e saj. Andaj edhe kjo është dëshmi shtesë që kjo kompani nuk duhet në asnjë mënyrë të marrë në pronësi PTK-në.
17. Sipas një analize të Institutit për Politikë dhe zhvillim – INDEPi cili pas një analize konfirmon se shitja e PTK-sëështë bërë në vetëm 7.7 milionë € në raportin e publikuar në Koha Ditore me datën 04.05.2013. Në këtë raport ceket shumë saktë se nga viti 2007-2011, neto fitimi i PTK-së ka qenë 234.3 milionë €, që do të thotë se edhe në kushte tejet të rënda që funksiononte PTK-ja, si rezultat i ndalesës së investimeve, prapëseprapë për 5 vjet PTK-ja arrin me neto fitim, prandaj çmimi që ka ofruar AXOS-i është më shumë se qesharak apo edhe skandaloz. 
Që nga viti 2007-2011 PTK-ja ka investuar 293 milionë €, që do të thotë se PTK-ja ka gjeneruar fitim mjaft të mirë, ka paguar taksa shtetit dhe ka avancuar infrastrukturën e saj me vlerë qindra milionëshe. Kurse AXOS-i planifikon të blejë PTK-në me 242 milionë€ dhe të mos investojë asnjë cent të tyre, por vetëm mjete nga vetëPTK-ja.
18. Të gjitha këto fakte të njëpasnjëshme janë dëshmi që konfirmojnë se këtu nuk kemi pasur një proces ligjor të udhëhequr me procedura të qarta, transparente dhe të drejta. Se me këtë shitje, shtetit të Kosovës i është bërë një dem kolosal, se ekonomia e Kosovës nuk ka fituar investitorë seriozë dhe se qytetarët e Kosovës nuk kanë fituar një operator që do t’i afronte shërbime të lira e serioze të telefonisë mobile. 
Këto fakte që ceka më lart janë dëshmi të mjaftueshme se kjo shitje duhet të ndërpritet (anulohet), kontrata nuk duhet të finalizohet dhe se për këtë proces duhet të ketë një hetim (investigim) të ngutshëm dhe serioz. Këtu shteti duhet të alarmohet, duhet të alarmohet edhe SHBA dhe BE-ja, e cila ka një trupë të sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë.
Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun

Kjo letër  e Kryetarit të Kuvendit, z. Jakup Krasniqi, është dërguar më 16 maj 2013 në këto adresa: 

Head office

AXOS Capital GmbH

Capital GmbH 

H. E. Mr. José Manuel Barroso

President of the European Commission
Mrs. Catherine Ashton

High Representative of the Union for Foreign Affairs and Security Policy
European External Action Service 

Mr. Samuel ŽBOGAR 
Head of the European Union Office in Kosovo /
European Union Special Representative in Kosovo

Mr. Bernd Borchardt, 
Head of EULEX Kosovo

Sir Suma Chakrabarti
President of the European Bank for Reconstruction and Development (EBRD) 

Mrs. Christine Lagarde
Managing Director of the International Monetary Fund (IMF)

Dr Hamadoun I. Touré
Secretary-General of the International Telecommunication Union (ITU)

Dr Ulrich Schröder
Chairman of the Executive Board of KfË
DEG – Deutsche Investitions- und Entëicklungsgesellschaft mbH

Mrs. Tracey Ann Jacobson 
United States Ambassador to the Republic of Kosovo

Mr. Ian Cameron Cliff OBE
British Ambassador to the Republic of Kosovo

Dr. Peter Blomeyer
Ambassador of the Embassy of the Federal Republic of Germany to the Republic of Kosovo

Mrs. Maryse Daviet
Ambassador of the Embassy of France to the Republic of Kosovo

Mr. Michael Louis Gifoni
Ambasador of the Embassy of Italy to the Republic of Kosovo

Mrs. Christina Marty Lang
Ambassador of the Embassy of Sëitzerland to the Republic of Kosovo