Lajme Shqip Saturday, 13 April 2013 11:22

TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe firma spanjolle INDRA ka nisur zhvillimin e testit për Sistemin Elektronik të Numërimit të Votave, që do të realizohet në zgjedhjet e 23 qershorit në qarkun e Fierit.

Testi po zhvillohet në Tiranë, në mjediset e shkollës ‘Hasan Prishtina’, ku po marrin pjesë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, OSBE, NDI, KiE etj.

Nga testimi qe po zhvillohet deri tani ka përfunduar procesi i skanimit të dy kutive të para. Nga kutia e parë, të skanuara janë 308 fletë votimi dhe u vlerësuan në kohë të shkurtër, 287 fletë votimi.

I pranishëm në këtë testim është dhe anëtari i LSI në KQZ, Ilirjan Muho, të cilin Komisioni i Ligjeve e ka shkarkuar nga detyra dhe largimi i tij bëhet definitiv nëse e voton dhe Kuvendi të hënën.

Sasia e fletëve të votimit në këtë testim paraprak, që fillimisht do të plotësohen dhe më pas do të numërohen, do të jetë rreth 6000 copë. Sipas këtij projekti, për të simuluar procesin e votimit, do të përzgjidhen grup-mosha të ndryshme zgjedhësish, si studentë, zgjedhës që votojnë për herë të parë, zgjedhës të moshës së tretë etj.

Numërimi elektronik do të vihet në zbatim për herë të parë në qarkun e Fierit më 23 qershor, nga kompania spanjolle “INDRA”, dhe pritet që rezultatet të dalin brenda 24 orëve.

Sipas plan-projektit, KQZ do të caktojë dhe një audit të pavarur për vlerësimin e testimit të parë. Ndërsa raporti do t’i dorëzohet KQZ-së 10 ditë pas testimit, ku do të paraqitet analiza e mbarëvajtjes së projektit.

Një muaj para zgjedhjeve, administrata zgjedhore do të realizojë transportimin e pajisjeve skanera, të cilët do të dërgohen nga kompania mëmë INDRA, me qendër në Spanjë. KQZ në kontratën e nënshkruar me firmën spanjolle ka marrë me “qira” përdorimin e teknologjisë, pasi sipas administratës zgjedhore kostoja e blerjes së tyre ishte shumë e lartë.

Në qarkun e Fierit është parashikuar që në datën 8 qershor të realizohet testi i parë i përgjithshëm me sistemin elektronik të numërimit të votave. Më pas, procesi më i vështirë do të jetë prodhimi i fletës së votimit që është parashikuar në realizohet më datë 9 qershor. Pas kompozimit të modelit të fletës, modeli do të dërgohet për t’u përgatitur në Spanjë dhe është planifikuar që ky proces të zgjasë dy ditë. Nga data 10 qershor deri në 12 qershor, kompania dhe KQZ do të marrë nga kompania INDRA fletët e vërteta, dhe një ditë është parashikuar të zgjasë vetëm procesi i zhdoganimit. Prodhimi i modelit të fletës së votimit që do të përdoret në qarkun e Fierit, do të jetë dhe “pika e dobët” e procesit të numërimit, pasi në fletën e votimit nuk duhet të jenë më shumë se 46 subjekte zgjedhore. Po ashtu, fleta alternative mund të përmbajë jo më shumë se 66 subjekte zgjedhore. Fletët do të dërgohen në vendet e votimit në Fier më datë 14 qershor, ndërsa më 22 qershor do të bëhet zerimi i sistemit, një ditë para votimit.(LajmeShqip.com)