Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 14:18

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrton sot aktin që po përgatit, në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor për hapjen e të gjitha kutive dhe numërimin e votave të kontestuara të hedhura në kutinë e gabuar, për bashkinë Tiranë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli bëri të ditur se vendimi i Kolegjit është zbardhur dje në orët e vona të mbrëmjes dhe KQZ e ka pasur në dorë vetëm mëngjesin e sotëm (ora 8:00).

“Me t’u marrë në zotërim ky dokument i Kolegjit, Drejtoria Juridike filloi nga puna për përgatitjen e pr/aktit dhe administrata po punon me përgjegjshmëri dhe shpejtësi në mënyrë që vendimi të kalojë në ora 18:00″, theksoi Olli.

Sipas tij, nëse të gjitha palët, si anëtarët e KQZ-së dhe përfaqësuesit e subjekteve politike, do të jenë njohur në kohë me aktin dhe do të bien dakord për ta miratuar atë, mundet që nesër në mëngjes, në mbledhjen e orës 10:00, të operojmë me procedurën e hapjes dhe kqyrjes së kutive.

Zëdhënësi theksoi se për KQZ-në është e rëndësishme që ky vendim i Kolegjit, ashtu dhe ai i mëparshmi kanë lënë në fuqi si një veprim të drejtë e ligjor veprimtarinë e Komisionit për vlerësimin e fletëve të panumëruara dhe të pavlerësuara.

Lidhur me mënyrën se si do të procedohet për këtë vendimmarrje, Olli sqaroi se, akti i KQZ do të parashikojë hapjen e të katër kutive që ndodhen në 368 qendrat e votimit, ku përfshihen kutia për kryetarin e bashkisë, për këshillin bashkiak, për kryetarin e minibashkisë dhe për këshillin e minibashkisë.

Në total, përllogaritet që numri i kutive që do të hapen është 1472 dhe nga ku KQZ do të kqyrë zarfet me fletët e votimit të kontestuara ose të pavlefshme. “Urdhëresa e Kolegjit e përcakton qartë që në zarfin e fletëve të pavlefshme do të shikohen dhe do të merren ato fletë që janë përcaktuar si të pavlefshme vetëm se nuk kanë qenë në kutinë e duhur dhe jo të tjerat”, shpjegoi zëdhënësi Olli.

Nisur nga ky kufizim i objektit të punës ai gjykon se dhe koha që do t’i duhet Komisionit për këtë proces nuk do të jetë shumë e gjatë, nisur nga fakti se do të ngrihen dy ose tre grupe numërimi, proces i cili do të zhvillohet në sallën e mbledhjeve të KQZ-së.