Lajme Shqip Wednesday, 17 April 2013 11:23

TIRANE – Vendimi i mazhorancës për të shkarkuar anëtarin e KQZ-së të propozuar nga LSI, ka vënë në lëvizje Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Departamenti Amerikan i Shtetit ka dërguar në Tiranë Drejtorin për Evropën Qendrore dhe Jugore, Jonathan Moore. Zyrtari i lartë i DASH-it dhe ambasadori Arvizu zhvilluan sot një takim në selinë rozë me liderin e opozitës Edi Rama. Takimi zgjati rreth 1 orë.

RAMA: TE MOS KETE ARSYE QE ZGJEDHJET TE KONTESTOHEN
Në përfundim të takimit me zyrtarin amerikan, kryetari i PS-së Edi Rama deklaroi se në bisedën me Moore u theksua domosdoshmëria e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të KQZ-së, në mënyrë që siç tha ai, të mos ketë asnjë arsye që zgjedhjet e qershorit të kontestohen.

“Patëm një shkëmbim të hapur dhe të frytshëm opinionesh, lidhur me gjendjen paraelektorale dhe sigurisht lidhur edhe me zhvillimet më të fundit në rajon dhe posaçërisht edhe me ecurinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Duke u përqendruar tek çështja më e nxehtë, ajo e rrëmbimit të KQZ-së dhe rrënimit të këtij institucioni që duhet të jetë i pavarur dhe i paprekur nga vullnetet politike. Besoj se gjetëm mirëkuptimin e plotë për domosdoshmërinë që këto zgjedhje kaq të rëndësishme për Shqipërinë siç është ky moment, lidhur me integrimin evropian dhe zhvillimet në rajon, të mos ketë arsye që zgjedhjet të jenë të kontestuara”- deklaroi Rama përpara gazetarëve.

SHBA “E-MAIL” URGJENT AMBASADES NE TIRANE, KERKON SQARIME
Ora 07:20 -
Në adresën elektronike të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në orën 03:00 të mëngjesit të djeshëm, me orën tonë, ka mbërritur një e-mail i Departamentit Amerikan të Shtetit, që kërkonte sqarime të hollësishme mbi situatën politike në vendin tonë, veçanërisht për pritshmëritë pas votimit në Kuvend të kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Lajmi u bë publik nga vetë Sekretari politik i ambasadës, Xhei Porter, gjatë një takimi me studentë. Ai bëri të ditur se interesi i Departamentit të Shtetit, që drejtohet nga John Kerry, për çështje me ndjeshmëri të lartë, është i madh, sa herë ka ngjarje me rendësi. Duke mos komentuar më tej përmbajtjen e raportit që u nis drejt Uashingtonit përmes postes elektronike, Porter, theksoi se në interesin e SHBA, por edhe të vetë shqiptarëve, mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Në lidhje me e-mail që u përmend, që u mor sot (dje) në mëngjes në orën 03:00, ne marrim e-mail si ky gjithmonë, pra sa herë Shqipëria përmendet në kryetitujt e gazetave ndërkombëtare, për një sërë çështjesh. Situata nuk është e veçantë për shkak të asaj që ndodhi në Parlament dje (pardje). E-mail si ky ka përherë sa herë Shqipëria shfaqet në tituj gazetash. Ajo që mund të garantoj është që synimet tona nuk kanë ndryshuar që nga hera kur Sekretarja Klinton vizitoi Parlamentin shqiptar dhe iu kërkoi politikanëve shqiptarë që të siguronin që Shqipëria të ketë zgjedhje të drejta e të barabarta”, – sqaroi Porter.

ARVIZU: VOTIMI NE KUVEND NUK KA RRITUR BESIMIN TEK PROCESI ZGJEDHOR
Pas votimit në Kuvend, të kërkesës së mazhorancës për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu theksoi se votimi në parlament nuk e ka rritur besimin tek procesi elektoral. “Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Palët duhet të bëjnë hapa të tillë që të rrisin besimin e votuesve te procesi zgjedhor. Votimi i sotëm (pardjeshëm) në Kuvend nuk e bëri këtë,” thuhej në mesazhin e Arvizut.

I pyetur nëse PD-ja po e kapërcente vijën e kuqe duke ndryshuar rregullat e lojës për shkarkimin e një anëtari të KQZ-së, ambasadori Arvizu tha mes të tjerash se “nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar”, – deklaroi Arvizu. (GSH.LajmeShqip.com)