Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 16:29

Tiranë – Partia Demokratike reagoi sot ndaj deklaratës së selisë rozë, sipas së cilës, KQZ po kryen një proces kriminal dhe po manipulon votat.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja e selisë blu, Jorida Tabaku, deklaroi se “ky nuk është një proces kriminal, pavarësisht se z. Rama e thotë këtë pa asnjë bazë dhe fakt, por është një proces ligjor, që po zhvillohet pas kërkesës që Partia Socialiste bëri në Kolegjin Zgjedhor”.

Sipas Tabakut, nuk ka manipulime dhe e vetmja përpjekje për manipulim ishte e numëruesit të tij, e cila në mënyrë të qëllimshme i keqlexoi kodet e sigurisë, me qëllim për ta nxjerrë nga udha procesin.

“Ky proces ka qënë i lirë, i drejtë dhe transparent. Po, ka një gjë jo transparente. Fakti se përse z.Rama nuk pranon thirrjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarëve për të pritur me qetësi dhe për të pranuar rezultatet si dhe vendimet e institucioneve të pavarura”, theksoi përfaqësuesja e PD-së.

Ndërsa pak më herët PS, nëpërmjet deputetit të saj, Blendi Klosi, tha se procesi i rinumërimit të votave është cënuar rëndë.

Përfaqësuesi i opozitës tha se “KQZ po kryen një proces kriminal dhe se qellimi i vetem i rinumërimit ishte manipulimi i votave”.

Gjithashtu deputeti i PS-së akuzoi edhe kreun  e KQZ-së, Arben Ristanin, i cili, sipas tij, po e drejton KQZ-në në mënyrë aspak demokratike.