Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 20:15

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me katër vota pro dhe dy vota kundër vendosi të martën në mbrëmje të mos e kalojë për shqyrtim kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, që kundërshton vendimin e 25 qershorit të KQZ-së për tabelat e rezultateve për bashkinë Tiranë, si dhe kerkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendra votimi në kryeqytet.

Pas votimit, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se “ky vendim i KQZ do të hyjë në fuqi menjëherë dhe subjekti zgjedhor ka të drejtën e ankimimit”.

Në fillim të mbledhjes së sotme, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, në cilësinë e relatorit të çështjes, e argumentoi si të pavlefshme kërkesen ankimore të PS-së në të dy pikat e saj.

Pas një analize të detajuar ligjore, Ristani tha se në pikën e parë kërkesa nuk duhet të kalojë për shqyrtim për shkak mungese kompetencash, ndërsa pika e dytë ku kërkohet rivotim në 284 qendra votimi, nuk duhet të kalohet për shqyrtim për shkelje të afateve, pasi sipas tij, është shkelur afati 3 ditor.

Në reagim ndaj argumentave të kryetarit të KQZ-së, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj, tha se kërkesa jonë “është në afat, plotëson kriteret dhe është paraqitur përpara organit kompetent për ta gjykuar atë”.

Përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, tha se kërkesa e parë në ankimin e PS-së mund të bëhej vetëm në Kolegj, ndërsa lidhur me kërkesën e dytë, PS e ka humbur afatin kohor.

Kërkesa e fundit ankimore e Partisë Socialiste, e depozituar të hënën pranë KQZ-së, kërkonte shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 nga 485 qendrat e votimit që ka kryeqyteti.

Opozita i referohet diferencave në shifra në tabelën e rezultatit të shpallur nga KQZ më 25 qershor, si ajo mes votave dhe numrit të votuesve, si dhe faktit që shuma e fletëve të vlefshme dhe atyre të pavlefshme nuk korrespondon me numrin e fletëve të gjetura në kutitë e votimit.

KQZ shpalli fitues tre ditë më parë me 93 vota në avantazh, kandidatin demokrat Lulzim Basha, pas procesit të numërimit të votave të kontestuara të hedhura në kutinë e gabuar, në 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit.