Lajme Shqip Wednesday, 17 April 2013 11:47

TIRANË – Anëtarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e propozuar nga PS, Albana Shtylla ka paraqitur sot dorëheqjen nga ky post. Shtylla tha se dorëhiqet nga të njëjtat arsye për cilat dha dorëheqjen një ditë më parë, anëtari tjetër i PS, Denar Biba. 
Dorëheqjet e dy komisionerëve vijnë në reagim të vendimit të Kuvendit për lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, i propozuar nga LSI.

Pas doreheqjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi sot zyrtarisht Kuvendin e Shqipërisë për dy vakancat e krijuara në institucionin zgjedhor, pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të dy komisionerëve të propozuar nga opozita parlamentare.

Sipas nenit 19, pika 3 të kodit zgjedhor në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës.

Pas njoftimit te Kuvendit reagon kryetarja e Parlamentit, Topalli, kerkese PS-se, “zevendesojini anetaret”
Albana Shtylla
Pasi depozitoi kërkesën për dorëheqje në KQZ, Shtylla argumentoi sot para mediave arsyet që e cuan të ndërmerrte këtë vendim.
“Do doja të veçoja nga gjithë ajo deklaratë për dorëheqje që kam paraqitur sot pranë KQZ-së, një moment të cilin e kam vlerësuar të rëndësishëm, personalisht. E kam thënë që zbatimi i ligjit, integriteti profesional dhe paanësia politike më ka karakterizuar gjatë gjithë karrierës time të gjatë në administratën publike. Në këtë kontekst, kushdo të ishte në vendin tim, do të konstatonte se gjatë ushtrimit të një detyre të caktuar në një funksioni publik, i cënohet integriteti, i cënohet garancia ligjore që është shumë e rëndësishme për ushtrimin e mandatit, do të bënte të njëjtën gjë. I kam gjërat më të rëndësishme e më të shtrenjta, i kam kultivuar si thesare gjatë jetës sime ndaj nuk do dëshiroja që askush e për cfarëdo lloj arsyeje, le të themi të mi cënonin ato në ushtrimin e detyrave të një funksionari publik, si cështë dhe rasti i anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

Me tej, Shtylla theksoi se vertet kandidaturat propozohen nga partite, por ne momentin qe betohen, nuk i perkasin asnje partie.
“KQZ është institucion i pavarur. Besoj jeni të mirinformuar dhe dikush që nuk e njihte Kodin Zgjedhor ka mësuar diçka prej tij, që anëtari i KQZ, që në momentin që bën betimin dhe konsitutuohet është i paanshëm politikisht, pikërisht siç thotë Kodi”.

Dorëheqja e Albana Shtyllës vjen një ditë pas dorëheqjes së kolegut të saj në KQZ, Denar Biba. Të dy këta janë anëtarë të institucionit qendror të zgjedhjeve, të propozuar nga PS.

TOPALLI-RUÇIT: SILLNI PROPOZIMET E REJA

Pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të nënkryetarit të KQZ-së Denar Biba dhe anëtares Albana Shtylla, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i kërkoi kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, që të depozitojë brenda afateve propozimet për zëvendësimin e dy vendeve vakante në KQZ.

Në një njoftim zyrtar në faqen e Kuvendit bëhet e ditur se: “Kryetarja e Kuvendit, pasi administroi dorëheqjet e z. Biba dhe znj. Shtylla, bazuar në pikën 3 të nenit 19 të Kodit zgjedhor, e cila thotë: “Në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës”, i kërkoi Kryetarit të Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, me shkresë nr.790, dt. 17.04.2013, që të sjellë, brenda afateve, propozimet e PS-së për zëvendësimin e dy anëtarëve të PS-së në KQZ. Kjo, e bazuar në pikën 2 të nenit 19 të Kodit zgjedhor, ku thuhet: “…Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin…”- përfundon njoftimi.
***********************************************

NJË DITË MË PARË U DORËHOQ BIBA: SHKARKIMI I ANËTARIT TË KQZ CËNOI INSTITUCIONET E PAVARURA
Dorëhiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nënkryetari Denar Biba, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në këtë komision.

Mësohet se Biba ka dhënë dorëheqjen e tij të parevokueshme nga ky post, pas vendimit të djeshëm të Kuvendit për të shkarkuar anëtarin e LSI-së në komision Ilirian Muho.

Deklaratën e dorëheqjes së tij e ka zbardhur gazetari i “News 24″ Arbër Hitaj. Në këtë deklaratë për shtyp Denar Biba e cilëson shkarkimin e djeshëm të anëtarit të KQZ-së një akt të rëndë që cënon institucionet e pavarura.

“Dje, shumica e rastit e deputetëve të Kuvendit, duke votuar shkarkimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me vetëdije apo nga papërgjegjshmëria, kreu një akt jashtëzakonisht shumë të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës. Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ, ky akt tregoi qartësisht dhe pa asnjë dyshim mungesën e plotë të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri. Sepse misioni i parë dhe i fundit i tyre nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura”, shprehet Biba.

Në deklaratën e tij Biba sqaron se arsyet e dorëheqjes së tij kanë të bëjnë me faktin se anëtarët e KQZ nuk kanë mbrojtjen e duhur ligjore, por trajtohen thjesht si anëtarë të rëndomtë partie.

“Megjithëse të propozuar nga struktura parlamentare e të votuar me shumica që tejkalojnë ngjyrimet partiake në Kuvend, dje, ne u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje, ndonjërin edhe duke e cenuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional. Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi duke i serviruar atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve”, thotë ai më tej. (LajmeShqip.com)