Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 11:48

Tiranë – Të enjten Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka nisur procesin e numërimit të fletëve të kontestuara të njësisë bashkiake nr.11, KZAZ nr.55, që është dhe njësia e fundit që përmbyll këtë proces, në kuadër të zgjedhjeve vendore për bashkinë Tiranë.

Deri tani, KQZ ka hapur 1584 kuti në 10 njësitë bashkiake të kryeqytetit, ndërsa sot pritet të hapë dhe 209 kutitë e fundit për të verifikuar votat e kontestuara të hedhura në kutinë e gabuar.

Pas numërimit të këtyre votave në 10 njësi rezulton se në garën për Bashkinë e Tiranës vijon të kryesojë kandidati demokrat, Lulzim Basha me 76 vota para rivalit të tij socialist, Edi Rama.

Ndërkohë, mbledhja e sotme e KQZ-së nisi me shpërndarjen e mandateve për disa bashki dhe komuna në disa qarqe të vendit si në Durrës, Elbasan etj.