Lajme Shqip Thursday, 18 April 2013 10:16

Tiranë – Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Shqipëria të zhvillojë një cikël të ri zgjedhor, në mënyrë që populli të ketë besim tek rezultati i procesit elektoral të 23 qershorit.

Ka qenë ky mesazhi që u ka përcjellë autoriteteve shqiptare zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, i cili ndodhet prej së mërkurës në Tiranë.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur mëngjesin e së enjtes, zoti Moore ka mirëpritur qëndrimin e liderëve politikë shqiptarë pro dërgimit të vëzhguesve të huaj.

“Është e rëndësishme që populli të ketë besim në këto zgjedhje, të ketë besim në rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Politika ka rënë dakord që zgjedhjet të mbahen më 23 qershor dhe ne vlerësojmë faktin që politikanët mbështesin ardhjen e vëzhguesve të huaj”, ka thënë Moore.

Por nga ana tjetër, zyrtari amerikan, përgjegjës për çështjet e Evropës dhe Azisë, ka shprehur shqetësimin e Uashingtonit për situatën e fundit politike të krijuar në vend.

“Jemi të shqetësuar për nivelin e lartë të tensionit politik në vend. Jemi gjithashtu të shqetësuar edhe për presionin mbi deputetin Islami dhe familjarët e tij”, ka deklaruar Moore, i cili më pas ka dhënë dhe mesazhin për zgjedhjet.

“Do të na pëlqente të shohim një anëtarësi sa më të plotë në KQZ. Shqipëria duhet të zhvillojë një cikël pozitiv zgjedhjesh. E njëjta pikëpamje ndahet edhe nga sekretari i Shtetit, John Kerry”, ka theksuar Moore.

Në fillim të konferencës zoti Moore bëri gjithashtu të ditur se vizita e tij ka qenë e planifikuar prej kohësh dhe vlerësoi kontributin e Shqipërisë në NATO dhe atë për paqen në rajon.

“Jam i kënaqur që ndodhem në Shqipëri. Ne jemi krenarë që Shqipëria është anëtare e NATO-s. Shqipëria është kontribuese e rëndësishme e paqes në Ballkan. Vizita ime ka qenë e planifikuar prej kohësh”, tha Moore. (LajmeShqip.com)