Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 16:07

Tiranë – Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) miratoi në tërësi me 4 vota pro dhe 2 kundër aktin për hapjen e kutive dhe numërimin e fletëve të kontestuara në qendrat e votimit të bashkisë Tiranë, një proces që pritet të nisë në orën 17:00 të pasdites të së shtunës.

Në mbledhjen e nisur në orën 10:00 të paradites së sotme, pas debateve të zgjatura, palët ranë dakord për procedurat që do të ndjekë KQZ në procesin e vlerësimit të votave të kontestuara, në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 qershorit.

Sipas këtij vendimi, KQZ për numërimin dhe rivlerësimin e votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësise Bashkiake, do të ngrejë tetë grupe numërimi në ndihmë të Komisionit.

Secili nga grupet e numërimit të KQZ-së do të hapë katër kutitë e të njëjtës qendër votimi. Votat e gjetura në kutinë e gabuar do të kërkohen në zarfin e fletëve të kontestuara në secilën kuti, do të numërohen dhe rivlerësohen nga grupet e numërimit, dhe para se të tabulohen do t’i njoftohen KQZ-së, për t’i pasqyruar në tabelë.

Akti parashikon që pranë çdo grupi numërimi subjektet zgjedhore kanë të drejtë të caktojnë nga një vëzhgues, i cili në rast se vëren parregullsi gjatë procesit të hapjes së kutive ia bën prezente KQZ-së.

Në përfundim të procesit të numërimit dhe rivlerësimit të votave, që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e bashkisë Tiranë, këshillin e bashkisë Tiranë, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake, KQZ do të miratojë tabelën përfundimtare dhe mbi bazën e tyre do të hartojë tabelën përmbledhëse të rezultatit të votimit për zonën zgjedhore Bashkia Tiranë.

Numërimi do të fillojë pasditen e sotme ora 17:00 në sallën e mbledhjeve të KQZ-së me hapjen e kutive të KZAZ-së nr. 45, për të vijuar më pas me kutitë e KZAZ-ve të tjera sipas rendit rritës.