Lajme Shqip Monday, 20 June 2011 12:39

Tiranë – Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, hodhi poshtë akuzat e ngritura nga përfaqësuesit e PS-së se kodet e sigurisë së kutive të votimit nuk akordojnë me ato që po hap Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Kodet e kutive janë të sakta dhe nuk kemi pasur asnjë ankimim për mospërputhje kodesh”, sqaroi zëdhënësi.

Duke shpjeguar debatet mes përfaqësuesve të opozitës në KQZ në lidhje me kodin 5, që është kodi që vendoset në komisionin e qendrës së votimit, i vendosur në pjesën e hapur të kutisë, ku hidhet fleta e votimit, zëdhënësi theksoi se “në të gjitha rastet, kur kemi konstatuar mosshënimin e këtij kodi, është bërë kqyrja e procesverbaleve që janë dorëzuar në KQZ dhe pas verifikimeve nuk ka pasur mospërputhje”, tha Olli.

Sipas tij, procesverbalet, të cilat janë dorëzuar në KQZ, janë shoqëruar nga kryetari, nënkryetari dhe sekretari i KZAZ-së, ndërsa shtoi se ato mund të verifikohen nga subjektet politike.

Gjatë ditës së sotme KQZ po numëron fletët e votimit të kontestuara që ndodhen në kutitë e votimit të KZAZ-nr. 47, njësia 4.

Për procesin zgjedhor në Tiranë do të hapen dhe numërohen fletët e kontestuara në 1793 kuti. Numërimi nisi të shtunën pasdite (18 qershor) me hapjen e kutive të njësisë bashkiake nr. 1, për të vijuar sipas rendit rritës me kutitë e dy KZAZ-ve të tjera, nr. 2 dhe 3.

Në total, KQZ ka hapur deri të dielën në mbrëmje 474 kuti votimi, nga të cilat 156 i përkasin njësisë bashkiake nr.1, 201 njësisë bashkiake nr.2 dhe 117 kuti i përkasin njësisë bashkiake nr.3. Nga procesi i numërimit në të tre njësitë vendore, kandidati i koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha, vazhdon të jetë në avantazh ndaj rivalit të tij socialist, Edi Rama, me 76 vota.

Sipas aktit të miratuar nga KQZ, numërimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar bëhet nga 8 grupe numërimi, në tryeza të posaçme të vendosura në sallën e mbledhjeve të KQZ-së dhe në prani të vëzhguesve të forcave politike dhe të anëtarëve të Komisionit.