Lajme Shqip Saturday, 18 June 2011 17:56

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi pasditen e së shtunës, rivlerësimin për votat e konstestuara për 368 qendra votimi në kryeqytet dhe konkretisht me hapjen e kutive të KZAZ-së nr. 45, për të vijuar më pas me kutitë e KZAZ-ve të tjera sipas rendit rritës.

Komisioni vendosi paraditen e sotme ngritjen e 8 grupeve pune, nën mbikqyrjen e përfaqësuesve të forcave politike për rinumërimin e fletëve të votimit për 1793 kuti nga 1940.

Paraditen e sotme, palët ranë dakord për procedurat që do të ndjekë KQZ në procesin e vlerësimit të votave të kontestuara, në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor të 13 qershorit.

Sipas këtij vendimi, KQZ do të numërojë dhe rivlerësojë votat që nuk janë hedhur në kutitë respektive të së njëjtës Qendër Votimi në kutitë për kryetarin e Bashkisë Tiranë, Këshillin e Bashkisë Tiranë, kryetarin e Njësisë Bashkiake dhe Këshillin e Njësisë Bashkiake.