Lajme Shqip Tuesday, 28 June 2011 12:08

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë të martën pasdite kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, që kundërshton vendimin e 25 qershorit për tabelat e rezultateve për bashkinë Tiranë dhe shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në disa qendra votimi në kryeqytet.

Mbledhja e paralajmëruar për paraditen e sotme u shty për në orën 18:00, ndërkohë që relatimi i kësaj çështje, pas hedhjes së shortit, do të bëhet nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani.

Ankimimi i ri i socialistëve, i depozituar të hënën pranë KQZ-së, kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 nga 485 qendra votimi që ka kryeqyteti.

Opozita iu referohet diferencave në shifra në tabelën e rezultatit të shpallur nga KQZ më 25 qershor, si ajo mes votave dhe numrit të votuesve dhe fakti që shuma e fletëve të vlefshme dhe atyre të pavlefshme nuk korrespondon me numrin e fletëve të gjetura në kutitë e votimit.

KQZ shpalli fitues tre ditë më parë me 93 vota në avantazh, kandidatin demokrat Lulzim Basha, pas procesit të numërimit të votave të kontestuara të hedhura në kutinë e gabuar, në 11 njësitë bashkiake të kryeqytetit.