Lajme Shqip Thursday, 23 June 2011 15:39

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në përfundim të numërimit të votave të kontestuara në të 11 njësitë bashkiake të Tiranës, e konsideron këtë proces transparent dhe të bazuar në ligj.

Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, në një prononcim për mediat tha se pas numërimit të votave të kontestuara të hedhura në kutinë e gabuar, të dhënat e mbledhura gjatë këtij procesi, do të përpunohen nga Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit për të përgatitur pr/aktin, i cili do të miratohet në mbledhjen e KQZ-së.

Zëdhënësi theksoi se procedura e kryer nga KQZ gjatë këtyre ditëve, në urdhëresë të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, është konform ligjit dhe e zbatuar në transparencë maksimale.

Sipas Ollit, pritet që nesër KQZ, me përgatitjen e pr/aktit nga administrata e Komisionit, të ketë dhe një tabelë përfundimtare për bashkinë e Tiranës.

Ndërkohë, në një komunikim me mediat, përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj, duke kontestuar procesin, tha se opozita do të shqyrtojë të gjitha mundësitë ligjore për ta sjellë atë (procesin) në udhën e duhur.