Lajme Shqip Sunday, 09 June 2013 23:07

Prishtinë – Megjithëse në Kosovë ka disa vite që operojnë televizione të cilat kanë përmbajtjen programore mbi pesëdhjetë për qind fetare, duket se Këshilli i pavarur i mediave dhe institucionet tjera për mbikëqyrjen e mediave, nuk janë në dijeni për këtë. Disa televizione që operojnë me programe që kanë përmbajtje fetare janë TV Vali, TV Mitrovica dhe TV Besa. Këto tri televizione, rezervojnë disa orë program brenda 24 orëve, skemë programore që më shumë përfshinë tematikën fetare. Aty përfshien emisione interaktive dhe ligjërata, kryesisht të hoxhallarëve. Ndërkaq Peace TV, është televizion që gjithë skemën e tij programore e ka me përmbajtje religjioze. Mirëpo, një gjë e tillë, si rasti i këtij televizioni bie ndesh me ligjin. Këtë e thotë vet zyrtari ligjor pranë KPM-së, Emrush Kastrati, i cili i ka thënë KTV-së se televizioneve të tilla sipas ligjit, duhet t’u merret licenca. Por ai thotë se nukkanë informata që në Kosovë operojnë medium të tilla. Ndërkaq, Xhevahire Izmaku, anëtare e Komisionit parlamentar për media, ka thënë se në këtë komision asnjëherë nuk është ngritur një çështje e tillë. Ndryshe, “Peace tv” është rrjet i televizioneve në botë, i cili kryesisht shqyrton tematikën e fesë islame dhe është i themeluar nga Qendra për Hulumtime Islamike.