Lajme Shqip Friday, 23 October 2015 19:48

Intervista e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi sot në Kuvend, pas zhvillimeve që ndërprenë seancën, tregoi se njëri prej shqetësimeve kryesore për protestat e dhunshme të opozitës lidhet edhe me imazhin e keq që po prodhon Kosova në mediat botërore.

Përfaqësues të ndryshëm të qeverisë dhe ekspertët e fushës po shprehen se imazhet e dhunës, flakës, gazit lotsjellës që po zënë faqet e para të gazetave më prestigjioze botërore janë duke krijuar përshtypjen se Kosova ngjan më shumë me një shtet të dështuar, që ende nuk është shkëputur plotësisht nga pasojat e konfliktit, raporton lajmi.net.

Kjo është veçanërisht e dëmshme për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare si Bashkim Evropian, NATO, UNESCO dhe Interpol.

Shqetësimi po ashtu lidhet me faktin se imazhi ndërkombëtar luan një rol të madh për zhvillimin ekonomik të një vendi dhe po zë një vëmendje gjithnjë e më të madhe në politikat qeveritare. Gjithnjë e më shumë shtetet janë duke investuar në përmirësimin dhe promovimin e reputacionit të vendit, sepse duke pasur një imazh më të mirë tërhiqen më shumë investitorë, krijohet më shumë besueshmëri në tregjet ndërkombëtare financiare dhe jo vetëm, stimulohen eksportet, thithen turistët, etj.

Aq i rëndësishëm është bërë imazhi i një vendi, sa prej disa kohësh kanë nisur të prodhohen një sërë renditjesh ndërkombëtare që radhisin vendet e ndryshme për nga imazhi.

I pari në këtë fushë ka qenë ai i krijuar prej Simon Anholt, prej vitit 2005, i quajtur Indeksi i Markës së Kombeve (Nation Brand Index). Mandej ka nisur kompania prestigjioze Futurebrand dhe ajo Bloom Consulting të prodhojnë secila Indeksin e Markës së Vendeve (Country Brand Index) dhe së fundmi është edhe Anketa e Fuqisë së Butë të kompanisë Monocle (Monocle Soft Poëer Survey).

Përveç rangimeve të imazhit, kompanitë investitorë të mëdha pajtojnë apo blejnë raporte analitike të riskut për vende të ndryshme në tranzicion apo në situata të vështira kur bëjnë planet e tyre të investimeve dhe me siguri se edhe zhvillimet e fundit politike do të reflektojnë në dëmtimin e kapaciteteve të Kosovës për të ngjallur besim dhe absorbuar investime. /lajmi.net