Lajme Shqip Wednesday, 29 June 2011 13:35

Prishtinë – Zv/kryeministri i Kosovës dhe ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviç, po zhvillon një vizitë zyrtare në Irlandë të Veriut, së bashku me një delegacion të gjerë të drejtuesve të komunave.

Ministri Petroviç, i cili është një nga përfaqësuesit e komunitetit serb në institucionet kosovare, ka takuar zyrtarë të lartë të Parlamentit, Qeverisë dhe qytetit të Belfastit. Në vizitën që ka bërë ne Parlamentin e Irlandës së Veriut, Petroviç, sipas zyrës së tij, është pritur nga Kryetari i Parlamentit, William Hav dhe deputetë të dy partive kryesore ne këtë vend, me të cilët ka biseduar lidhur me përvojat parlamentare në zhvillimin e shoqërisë demokratike dhe veçanërisht për rolin e parlamentit në procesin e reformave të pushtetit lokal që janë duke kaluar Irlanda e Veriut dhe Kosova.

Një takim të veçantë, Petroviç e ka zhvilluar me Ministrin e Ambientit, Alex Attwood, ku kanë biseduar për rolin që ka zhvillimi ekonomik në zvogëlimin e situatave konfliktuoze dhe krijimin e besimit mes komuniteteve. Ministri Attwood e ka informuar ministri Petroviç lidhur me procesin e riorganizimin territorial që është duke ndodhur në Irlandë dhe procesin e zvogëlimit të komunave për shkak te eficiencës dhe zvogëlimit të kostos buxhetore.

Ndërsa, ministri Petroviç ka prezantuar progresin e arritur në kuadër të decentralizimit në Kosovë. Shembulli i Kosovës, ka thënë ai, është një rast i mirë për të kuptuar se si procesi i decentralizimit mund të ndikojë për të mirë në jetën e komuniteteve, veçanërisht atyre pakicë dhe si mund të përmirësoje ambientin shoqëror në nivel lokal.

Gjatë qëndrimit në Irlandën e Veriut, ministri Petroviç është pritur edhe nga kryetari i bashkisë së Belfastit, Niall O Donnghaile. Me këtë rast janë shkëmbyer përvoja të vlefshme në organizimin e qyteteve, duke patur parasysh se Belfasti dhe Prishtina kanë përafërsisht të njëjtën madhësi dhe në banorë.