Lajme Shqip Sunday, 25 November 2012 12:32

Prishtinë – Dy partitë më të mëdha në vend PDK, LDK janë pajtuar ta çojnë vendin në zgjedhje parlamentare më 2013, ndërsa Atifete Jahjaga do të vazhdojë të mbetet në krye të shtetit. Burime brenda takimit që ka ndodhur të premten mes Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, kanë thënë se reforma zgjedhore pritet të përfundojë deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe Lideri i LDK’së, Isa Mustafa kanë vendosur ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja parlamentare në vitin e ardhshëm.

Burime të Expressit kanë thënë se pajtimi ka ndodhur të premten, në takimin që është mbajtur në një hotel në Prishtinë, e ku kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të AAK’së, AKR’së dhe SLS’së.

Por, para se të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Thaçi e Mustafa janë marrë vesh që deri në mars të vitit të ardhshëm të përfundojnë ndryshimet ligjore dhe kushtetuese që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

“Dy liderët janë marrë vesh për ndryshimet në ligj dhe Kushtetutë sa u përket zgjedhjeve. Këto ndryshime do të jenë gati në fund të pranverës. Gjatë muajve të ardhshëm do të ketë takime për të vendosur se çfarë listash do të ketë, sa zona zgjedhore do të ndahet Kosova si dhe për përbërjen e KQZ’së”, kanë thënë burime të Expressit, brenda takimit.

Sipas burimeve, marrëveshja e pashkruar mes partive politike ka ndodhur në prani të ambasadorëve të QUINT’it, të cilët kanë marrë pjesë në takimin e liderëve të partive.

Pajtimin e liderëve për reformën zgjedhore e ka konfirmuar vetë Kryeministri Thaçi, i cili ka përmendur edhe respektimin e “plotë” të Marrëveshjes së vitit të kaluar.

“Jemi dakorduar të gjithë ta respektojmë deri në fund marrëveshjen e arritur në mes liderëve politikë. Tash janë angazhuar në këtë proces edhe AAK’ja dhe partitë e tjera”, ka thënë Thaçi.

Marrëveshja e arritur mes liderëve të PDK’së, LDK’së dhe AKR’së ka paraparë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në vitin 2013, ndërsa zgjedhjet e reja të drejtpërdrejta presidenciale këtë vit.

Por, në takimin e fundit, udhëheqësit e partive kryesor nuk kanë folur hiç për reformën kushtetuese që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit nga populli.

Tash, partitë kanë vendosur të flasin vetëm për zgjedhjet parlamentare.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci ka deklaruar për Express se Thaçi dhe Mustafa kanë folur të premten vetëm për reformën zgjedhore, por jo edhe për afatin e zgjedhjeve parlamentare.

Por, ai ka thënë se PDK’ja është e gatshme për zgjedhje sa herë që krijohen rrethana të tilla.

“PDK;ja pas një muaji është e gatshme të hyjë dhe t’i fitoj zgjedhjet”, ka thënë Grabovci.

“PDK’ja nuk i imponon vendimet e veta vetëm mbi bazën e interesave subjektive të partisë. Ne i dëgjojmë edhe idetë e partive të tjera”, ka thënë Grabovci për Express.

Ky zyrtar i PDK’së ka deklaruar se është e sigurt që në vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje lokale, ndërsa për zgjedhje të tjera pret të vendosin liderët.

“Për zgjedhjet e përgjithshme me siguri se do të vendoset në takimet e tjera mes liderëve. Do të gjendet data dhe koha më e përshtatshme. Për ne është herët të flitet të mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare”, ka thënë Grabovci.

Ndryshe, prej PDK’së në LDK thonë se Marrëveshja e arritur vitin e kaluar e shndërruar në Rezolutë duhet të zbatohet.

Deputeti Arben Gashi ka deklaruar se nuk e di se për çka janë marrë vesh Isa Mustafa me Hashim Thaçin, por thotë se zgjedhje parlamentare duhet të këtë vitin e ardhshëm.

“Nuk kam informacion së janë marrë vesh dhe nuk kanë çka të merren vesh për zgjedhje, sepse ata janë marrë vesh një herë se zgjedhjet do të mbahen vitin e ardhshëm”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, LDK’ja në fund të muajit gusht të këtij viti kishte njoftuar se nuk do të marrë pjesë në reformën zgjedhore për aq kohë sa PDK’ja dhe Presidentja nuk e zbatojnë marrëveshjen e arritur vitin e kaluar.

Marrëveshja e arritur në prillin e vitit 2011, me ndërmjetësimin e amerikanëve, e shndërruar edhe në rezolutë në Kuvendin e Kosovës, ka paraparë që këtë vit të përfundojë reforma kushtetuese dhe të mbahen zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale.

Pika tjetër ka paraparë përfundimin e reformës zgjedhore dhe afatin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më së voni në vjeshtën e vitit 2013.

Asnjëra prej këtyre pikave deri më tash nuk është plotësuar, pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese kishte konstatuar se ndryshimet kushtetuese sa i përket Presidentit janë antikushtetuese, pasi aty ishte paraparë shkurtimi i mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga.(LajmeShqip.com)