Lajme Shqip Thursday, 30 June 2011 18:47

Prishtinë:- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot pasdite në një takim lamtumire shefin e deritashëm të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, të cilin e ka falënderuar për punën e bërë në Kosovë dhe i ka uruar detyrën e re në të cilën është emëruar: Sekretar i Përgjithshëm i OSBE-së.

Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, Zannier ka falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për bashkëpunimin që ka pasur me Kuvendin e Kosovës dhe me të personalisht, si dhe është shprehur i bindur se bashkëpunimin do ta vazhdojë edhe nga posti i ri që ka marrë. Ai e ka përgëzuar kreun e Kuvendit për punën e mirë që ka bërë legjislativi i vendit për miratimin e ligjeve. Ndërkaq, ka theksuar se edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e vlerëson Kosovën si histori të suksesshme.

Kryeparlamentari Krasniqi ka folur edhe për bashkëpunimin e mirë të Kuvendit me të gjitha institucionet ndërkombëtare në Kosovës dhe me parlamentet e vendeve të tjera e në këtë mes edhe me Parlamentin e Italisë.

Edhe zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në takimin e lamtumirës, Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Lamberto Zannier.

Zyra e shtypit e qeverisë kosovare bën të ditur se gjatë këtij takimi, zv/kryeministri Pacolli ka falënderuar Zannierin për përkrahjen që iu ka dhënë institucioneve të Kosovës në periudhën kalimtare të transferimit të kompetencave prej administratës së OKB-së tek shteti i Kosovës.

Përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, italiani Lamberto Zannier filloi këtë detyrë në Kosovë në qershor të vitit 2008, pak muaj pas shpalljes së pavarësisë. /a.ke/