Lajme Shqip Wednesday, 08 June 2011 13:56

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje nuk pajtohet që reformat zgjedhore të bëhen vetëm me anë të komisioneve të formuara për këtë çështje.

Lëvizja Vetëvendosje, kundërshton që reformat zgjedhore të bëhen vetëm nga komisionet e formuara. Në Vetëvendosje thonë se pjesë e ndryshimeve duhet të jenë edhe qytetarët. Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Sejdiu në një konferencë për media tha se formimi i komisioneve për ndryshime zgjedhore është bërë për shkak të mbulimit të vjedhjeve të votave në zgjedhjet e fundit. Sejdiu nga Vetëvendosje thotë se është qytetari që duhet të jetë pjesë e diskutimeve dhe të vendoset se çfarë të ndryshohet. Ai tha se nëse ndodhë e kundërta dhe punohet vetëm në komisione atëherë manipulime të votave do të ketë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Megjithatë, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje thonë se ata do të jenë pjesë e komisioneve në mënyrë që të paktën aty të ndikojnë në ndryshime pozitive.