Lajme Shqip Thursday, 16 June 2011 16:18

Prishtinë – Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje organizuan të enjten një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe ministrive tjera, ku kanë vendosur tabelat e qarkullimit rrugor me shënimet “Kujdes xhepat! Ministria afër” dhe “Kujdes xhepat! Qeveria afër”.

Në një deklaratë për media, aktivisti i kësaj lëvizjeje, Kreshnik Ahmeti ka thënë se rastet e sjelljeve delikuente dhe vjedhjet e qytetarëve janë të vogla në krahasim me vjedhjet, të cilat sipas tij po i bën Qeveria e Kosovës.

“Sot në Kosovën e kapluar prej mjerimit social, rastet e vjedhjeve delikuente janë duke u rritur. Këto raste të vjedhjeve delikuente vijnë si pasojë e varfërisë së madhe që ka kapluar shoqërinë tonë, gjithashtu edhe si pasojë e degradimit të sistemit të edukimit, por këto raste të vjedhjeve delikuente janë sporadike, nuk janë të organizuara dhe në vlerë materiale janë të ulëta. Për dallim nga kjo në objektin që unë e kam prapa, në objektin e qeverisë së Kosovës ndodhin raste të vjedhjeve të organizuara me shifra të mëdha që arrijnë në dhjetëra miliona euro. Këto dhjetëra miliona euro janë para të qytetarëve të Kosovës. Pra, vjedhja e dytë është shkaktar i vjedhjes së parë”, ka thënë ai.