Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 15:44

Prishtinë – Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje realizuan të premten një aksion simbolik në bulevardin “Nënë Tereza” në kryeqytet, me ç’rast me fotografi të politikanëve kanë improvizuar Pasarelën e Hollivudit e të cilën për rastin e Kosovës e kanë quajtur “Pasarella e turpit”. Sipas tyre, në fotografi paraqiten yjet e hajnisë së pronës publike, të mirëqenies së qytetarëve dhe të së ardhmes së Kosovës dhe atyre u prin kryeministri, Hashim Thaçi dhe disa ministra.

Në mesin e atyre që nga Vetëvendosje konsiderohen si hajna të pronës publike, përveç kryeministrit Hashim Thaçi ishin edhe Besim Beqaj, Edita Tahiri, Bredri Hamza, Hajredin Kuçi dhe Bajram Rexhepi.

Me këtë rast aktivistja e Vetëvendosjes, Puhie Demaku tha se aksionin në fjalë e kanë ndërmarrë për të njoftuar më mirë qytetarët me ‘yjet’ që kanë përfituar në emër të shtetit dhe kombit.

Ajo më tej theksoi se në vend të njohjeve ndërkombëtare, Kosovës po i shtohet numri i njollave ndërkombëtare, ndërsa Kosova vazhdon të jetë vendi më i izoluar në Evropë, me shkallën më të lartë të papunësisë, me shkallën më të lartë të varfërisë dhe me shkallën më të lartë të korrupsionit.

Sipas, Demakut përveç vjedhjeve materiale që po ndodhin Kosovës është duke iu vjedhur edhe territori nga dialogu që po zhvillohet me shtetin e Serbisë.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë paqësore me moton “Kundër hajnisë” më 22 qershor në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie ndaj zhvillimeve politike në vend.