Lajme Shqip e Mërkurë, 18 Korrik 2012 12:47

Prishtinë (PLOTESUAR 18 Korrik 2012, 15:30)- Agjencia Kosovare e Privatizimit, përmes një komunikate për media, shprehu shqetësimin për grevën e organizuar nga grupe punonjësish në ndërmarrjen shoqërore Trepça, nën administrimin e AKP-së.

“AKP edhe njëherë sqaron se pas pranimit të dorëheqjes së drejtorit menaxhues të Trepçës, Ferat Shalës, me efekt nga data 16.07.2012 dhe shkuarjes së tij në pushim vjetor, në bazë të ligjit të AKP-së drejtimi i përkohshëm i punës ditore, si ushtrues detyre i është kaluar zëvendësit Eset Ujkani”, thuhet në njoftimin për media.

AKP sqaron se emërimi i drejtorit të ri do të bëhet përmes një procesi të hapur, transparent dhe konkurrues, ku intervistimin e kandidatëve do ta bëjë Komisioni i formuar prej akterëve relevant, përfaqësuesve të AKP-së, të qeverisë dhe përfaqësuesve të punëtorëve në Trepçë.

AKP po ashtu kërkoi nga të gjithë punonjësit e ndërmarrjes Trepça që të vazhdojnë punën dhe të përmbushin detyrat dhe obligimet duke respektuar kontratat e tyre të punës. (LajmeShqip.com)

************************************************

Prishtinë – Situata vazhdon të jetë e njëjtë në minierën e “Trepçës” ku mbi 700 punëtor kanë ndërprerë punën dhe po qëndrojnë në oborrin e minierës duke pritur realizimin e kërkesave të tyre. Sipas sindikatës së minatorët, nëse gjatë ditës së sotme nuk plotësohen kërkesat e tyre, atëherë ata do ta ndryshojnë formën e protestës.

Nezir Behrami, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve ka thënë se ka informacione se është duke u diskutuar çështja e minatorëve në instancat më të larta dhe janë në pritje të një përgjigje konkrete. “Ne do të presim edhe gjatë ditës së sotme dhe nëse nuk zgjidhen kërkesat tona atëherë kryesia e sindikatës do të diskutoj për ndryshimin e formës së grevës”, ka thënë Behrami, duke mos precizuar se për çfarë ndryshimi bëhet fjalë.

Sipas tij, janë tri kërkesa kryesore të minatorëve. E para, kundërshtimi i emërimit të Esat Ujkanit si ushtrues i detyrës së drejtorit, e dyta kërkojnë ardhjen para minatorëve të kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ish menaxherit Ferat Shala dhe të ndonjë përfaqësuesi të Qeverisë.

Mësohet së grevës së minatorëve të “Trepçës” i janë bashkangjitur edhe minatorët e Artanës dhe Kishnicës. Në anën tjetër, askush nga menaxhmenti i “Trepçës” nuk ka dashur të prononcohet rreth situatës së re të krijuar në këtë ndërmarrje.(LajmeShqip.com)