Lajme Shqip Tuesday, 14 June 2011 15:26

Prishtinë – Kryeministri Hashim Thaçi ka kërkuar kohë që të përgatitet për interpelancë, të cilën e ka kërkuar Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje. Kryesia e Kuvendit e ka marrë parasysh kërkesën e kryeministrit që të shtyhet interpelanca dhe ka vendosur që kjo seancë të mbahet javën e ardhshme.

Kështu ka bërë të ditur kryeparlamentari Jakup Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke theksuar se një seancë plenare do të mbahet këtë të enjte dhe pritet të jenë disa ligje në lexim të parë dhe një projektligj në lexim të dytë.

Interpelanca për kryeministrin Thaçi e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, ka të bëjë me autostradën Vërmicë-Merdare.

Ndryshe, në seancën e së enjtes në rend dite mes tjerash do të jetë edhe Projektligji për personat e zhdukur, Projektligji për ndihmën shtetërore dhe Projektligji për nismat legjislative.