Lajme Shqip Saturday, 11 June 2011 08:08

Prishtinë – “Rugova qëndroi në ballë të mbrojtjes së territoreve shqiptare, në rezistencën e Lidhjes së Prizrenit”, tha dje, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kreu i qeverisë kosovare, me rastin e 133-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës Memoriale për nder të betejës së Nokshiqit, kushtuar Rexhajve të Shkrelit në Rugovë, krahinë në rajonin e Pejës.
“Sot është 133-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i organizatës më të rëndësishme politike dhe ushtarake kombëtare, pas rezistencës çerekshekullore të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në shekullin 15″, tha kryeministri Thaçi.
“Lidhja Shqiptare Prizrenit”, përkujtoi ai, “një ndër qëllimet kryesore kishte mbrojtjen e territoreve të katër vilajeteve shqiptare, përmes qeverisë provizore, duke ngritur struktura mbrojtëse kundër synimeve të fqinjëve përreth”.
Në kuadër të rezistencës së organizuar nga kreu politik dhe ushtarak i Lidhjes së Prizrenit, Rugova pati fatin historik dhe gjeografik që të jetë në ballë të mbrojtjes së territoreve shqiptare që i aspironte Mali i Zi.
Thaçi shtoi se Beteja e Nokshiqit e 4 dhjetorit 1879, ishte kundërvënia e parë ndaj vendimeve të Kongresit të Berlinit, për copëtimin e tokave shqiptare.
“Rugova është emër i krenarisë shqiptare, vend i traditës folklorike, vend i vlerave unike kulturore. Ngritja e këtij Memoriali është një konfirmim simbolik për historinë e begatë të këtij vendi”, përfundoi kryeministri Thaçi.