Lajme Shqip Friday, 17 June 2011 20:26

Prishtinë – Zv/kryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, takoi të premten ish-Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, të cilin e falënderoi për angazhimin e tij konstruktiv në kohën kur ka qenë shef i UNMIK-ut në Kosovë.

Gjatë takimit u diskutua për programin reformator të Qeverisë si dhe prioritet e Republikës së Kosovës, që përfshijnë sundimin e ligjit, ekonominë e tregut, si dhe mirëqenien e përgjithshme për qytetarët.

Bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e dialogut teknik në interes të qytetarëve dhe për forcimin e perspektives evropiane për Kosovën.

Po ashtu, dialogu u cilësua si një mundësi për të zgjidhur diferencat për çështjet praktike midis dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë dhe, po ashtu si një mundësi për të vendosur marrëdhëniet ndër-fqinjësore në kuadër të kritereve të integrimeve evropiane.