Lajme Shqip Friday, 28 March 2014 23:31

Brenda harkut të shkurtër kohor, ministri i Financave, Shkëlqim Cani realizoi takimin e dytë në Kosovë me homologun Besim Beqanj, kësaj here për të konkretizuar dy marrëveshje, shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal si dhe heqjen e TVSH-së për librat. 

“Kjo vizitë edhe një herë konfirmon orientimet tona vëllazërorë të bashkëpunimeve ekonomike dhe avancimit të bashkëpunimeve në mes të dy vendeve tona”, ishin fjalët e para përshëndetëse të ministrit të Financave të Kosovës, Beqaj.

“Është kënaqësi të vijë për herë të dytë për një kohë të shkurtër për të nënshkruar dy marrëveshje, natyrisht që uroj që herën e tretë kur të vijë nënshkruajmë tre marrëveshje, ndoshta dhe gjashtë sepse hapësira, dëshira dhe vullneti nuk na mungon”, deklaroi ministri Cani. 

“Ne sot nënshkruam dy marrëveshje të rëndësishme në aspektin fiskal, që lehtësojnë mjaft çështje midis dy vendeve tona. Marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë na ndihmon për të paraprirë shmangien e evazionit fiskal.

Njëkohësisht, ne nënshkruam edhe shmangien e TVSH-së për tregtimin e librave dhe më këtë rast i uroj botës së akademisë, por edhe atyre të prodhimtarisë dhe lexuesve të librave që të shtohet dëshira për librin e përbashkët në të dy krahët”, shtoi më tej ministri shqiptar i Financave. 

Dy ministrat ranë dakord të inkurajojnë bashkëpunimin mes dhomave të tregtisë përmes marrëveshjeve të mirëkuptimit, në ndihmë të sipërmarrjes private, por edhe të vet ministrive të Financave. “Nuk jemi vetëm kontrollor, vetëm taksambledhës! Padyshim na intereson të kemi bashkëpunim dhe mirëkuptim edhe me sipërmarrjen private”, shtoi ministri Cani.