Lajme Shqip Tuesday, 21 June 2011 20:25

Prishtinë – Në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës u nënshkrua sot memorandumi i bashkëpunimit mes kësaj ministrie dhe Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, për pranimin e një donacioni me vlerë 2. 5 milionë dollarë.

Ministri Agim Çeku u shpreh se një marrëveshje e tillë dëshmon se FSK-ja ka miq, të cilët ndihmojnë që rruga drejt modernizimit të jetë e nivelit sa më të lartë.

“Kjo marrëveshje përshtatet edhe me synimin tonë që FSK-ja të jetë forcë moderne edhe në aspektin e teknologjisë informative”, tha Çeku.

Zv/ambasadori amerikan, Michael Murphy, tha se është i lumtur që po e hapin këtë fushë të re të bashkëpunimit, e cila i ofron FSK-së mjetet që i duhen për të ndihmuar vetveten.

Është e rëndësishme që të kuptohet, u shpreh Murphy, se ky donacion, nuk është një dhuratë, ky është një obligim për ne në ngritjen e FSK-së.

Ky donacion është dhuruar përmes “Fondit të Mirëbesimit” në Bruksel dhe ka të bëjë me sistemin e menaxhmentit informativ.