Lajme Shqip Thursday, 18 April 2013 13:13

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi sot do t’u dërgojë një letër 27 vendeve anëtare të BE-së, me të cilën do t’i njoftojë se Kosova ishte e gatshme për ta pranuar marrëveshjen me Serbinë, të paraqitur nga kryediplomatja evropiane, Catherine Ashton, por atë e ka refuzuar Serbia. Kryeministri e bëri njoftimin  pas përfundimit të raundit të nëntë të bisedimeve me Serbinë, të cilat përfunduan në mesnatë pa rezultat.Bisedimet mes delegacionit të Kosovës të prirë nga kryeministri Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, të prirë nga kryeministri serb Ivica Daçiq, ndonëse kanë vazhduar deri pas mesnate, kanë përfunduar pa ndonjë sukses. Kryeministri Hashim Thaçi tha pas takimit se pala kosovare është pajtuar me propozimet e baroneshës Eshton, i cili ishte i qartë dhe preciz. Por kjo është refuzuar nga pala serbe.

Shefi i ekzekutivit të vendit, Hashim Thaçi tha se sot se gjatë ditës do t’u dërgojë letër të gjitha vendeve anëtare të BE-së ku do të bëjë të ditur qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gatishmërinë e saj për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, bën të ditur RTK.

Ndërsa ndërmjetësja në këto bisedime, shefja e diplomacisë së BE-së Catherine Ashton, tha pas takimit se palëve u është dhënë edhe një mundësi që të shqyrtojnë propozimin e bërë dhe të marrin vendim në interes të të dyja vendeve.

Ndërkohë kryeministri serb Ivica Daçiq ka thënë se propozimet e bëra nga baronesha Ashton, e që kanë qenë të përmbledhura në 15 pika, kanë qenë më të pranueshme për Beogradin, por ka qenë Prishtina ajo që, sipas tij, ka penguar marrëveshjen.

“Thaçi ka refuzuar propozimin…përkatësisht, ka dashur të lidhë zgjidhjen e çështjes së policisë me një pikë të re, me të cilën të dyja palët obligohen të mos e bllokojnë njëra-tjetrën në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Daçiq. Pranimi i kësaj pike, sipas tij, do të nënkuptonte njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, për çka ai është shprehur se nuk do të ndodhë.

Krahasuar me raundet e kaluara, qëndrimet e palëve këtë radhe janë më të përafruara ndërsa të Serbia ka edhe një mundësi për të pranuar marrëveshjen para datës 22 prill kur baronesha Ashton do të raportojë për këtë para ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.(LajmeShqip.com)