Lajme Shqip e Diel, 22 Korrik 2012 13:42

Prishtinë – Brukseli së shpejti do t’u dërgojë ftesa kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë për vazhdimin e dialogut. Sipas Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, dy kryeministrat do të ftohen në Bruksel për konsultime.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar ka thënë se Prishtina dhe Beogradi shpejt do të marrin ftesa nga Brukseli për dialog.

Zbogar, duke folur për mediat serbe të premten në mbrëmje, ka thënë se BE-ja do të dërgojë ftesa të ndara për kryeministrat e Serbisë dhe të Kosovës, për të vazhduar dialogun.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që dialogu i ndërprerë muaj më parë, të vazhdojë sa më shpejt.

“Shumë gjëra janë adoptuar dhe harmonizuar, dhe shumë gjëra të tjera duhet të pajtohen sa i përket dialogut. BE’ja beson se bisedimet teknike duhet të vazhdojnë, sepse ka gjëra të tjera që duhet të adresohen sa i përket energjisë”, ka thënë Zbogar, dhe ka shtuat se vazhdimi i dialogut duhet të vazhdojë sa më shpejt që është e mundur, por vetëm pas formimit të Qeverisë në Beograd.

I pyetur nëse bisedimet duhet të ngrihen në nivel më të lartë politik për fazën e ardhshme, Shefi i BE-së në Kosovë ka thënë se ka çështje të cilat mund të kërkojnë një qasje nga një nivel më i lartë.

“Bashkimi Evropian ka dëgjuar Presidentin serb, Tomislav Nikolic, i cili ka shprehur në Bruksel vullnetin, apo nevojën, për të ngritur bisedimet në nivel politik”.

Zbogar ka thënë se beson që edhe Kosova ka vullnetin deri në një masë që të diskutojë normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“BE-ja do të kishte dëshirë që kjo të ndodhte, që të fillohet adresimi i atyre çështjeve të mëdha sa u përket marrëdhënieve. Megjithatë, varet nga dy palët, dhe BE-ja është e gatshme që të ndihmojë, por së pari duhet që të dy palët të kenë vullnetin të hyjnë në bisedime të tilla”, tha ai.

Hapi i ardhshëm i BE-së tani pritet të jetë dërgimi i ftesave kryeministrave në Beograd dhe Prishtinë që të vijnë në Bruksel, menjëherë pasi Serbia të formojë qeverinë dhe të shohë përmes këtyre bisedave se sa të gatshme janë palët që të hyjnë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve.

Megjithatë, implementimi i plotë i marrëveshjeve të arritura deri tani ende mbetet kusht i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë në fazë tjetër të dialogut. Qëndrimi i Prishtinës është përkrahur edhe nga zyrtarë të lartë të BE-së, të cilët i kanë bërë thirrje Beogradit që të zbatojë marrëveshjet e arritura deri tani, shkruan Express. (LajmeShqip.com)